Dogana konfiskon mbi 25 mijë litra naftë

Prishtinë | 19 Tet 2016 | 16:45 | Nga

Dogana e Kosovës gjatë javës së kaluar dhe gjatë kësaj jave ka arritur të parandalojë kontrabandimin e derivateve në tri aksione të mirë organizuara.

Rezultati i përgjithshëm i këtyre tri aksioneve ishte mbi 25 000 litra derivate të konfiskuara, tri automjete të konfiskuara si dhe ngritjen e kallëzimeve penale për të dyshuarit.

Në aksionin e parë Njësitet e Doganës kanë arritur të ndalojnë në rrugën Mitrovicë-Pejë, në fshatin Banjë e Pejës një maune të dyshuar, e cila kishte të montuar dy rezervuar të modifikuar special për derivate të naftës me kapacitet nga 10 000 litra secili, të cilët ishin të mbushur plotësisht.

“Mauna është sekuestruar, i dyshuari është intervistuar dhe pas konsultës me prokurorin e Pejës është proceduar kallëzimi penal ndaj të dyshuarit”, njofton Dogana.

Ndërsa, në aksionin në Rajonin e Mitrovicës ku pas marrjes së informate dhe dyshimeve për transport ilegal të naftës njësit e Doganës kanë ndjekur një automjet Ford Tranzit, i  cili gjatë tentimit për t’u shmangur nga përcjellja kishte dalë nga rruga kryesore, ku dhe vozitësi e braktisë automjetin.

“Pas kontrollit është gjetur një rezervuar post-fabrikant i ndërtuar posaçërisht për bartjen e derivateve të kontrabanduar dhe ku gjendeshin rreth 4 000 litra derivate të naftës. Edhe në këtë rast automjeti dhe nafta janë konfiskuar”, njofton Dogana.

Derisa në rastin e tretë në rrugën Lipjan-Prishtinë është ndaluar për kontroll një kombi transportues ku gjatë kontrollit është konstatuar se ngarkesa në atë kombi ishte me mallra si: Vaj motorik, vaj transmisionit dhe vaj i frenave në sasi prej 1 116 5 litra.

“Për mallrat transportuesi nuk posedonte asnjë dokument, prandaj si i tillë i është nënshtruar  konfiskimit”, njofton Dogana.

dogana-nafta3

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme