Dogana mbush 25 vjet, Kurti: Për herë të parë ka arritur të mbledhë mbi 1 miliard euro të hyra për shtatë mujorin e parë

Prishtinë | 30 Gus 2024 | 16:12 | Nga Ekonomia Online

Në muajin gusht, Dogana e Kosovës mbush plot 25 vjet që nga themelimi i saj.

Lidhur me këtë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për herë të parë që nga themelimi, Dogana e Kosovës ka arritur të mbledhë mbi 1 miliard euro të hyra për shtatë mujorin e parë, apo siç shkruan ai, 113 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë në vitin paraprak.

“Çerekshekulli Doganë. Në muajin gusht, Dogana e Kosovës mbushë plot 25 vite që nga themelimi. Institucion ky që ka shërbyer e vazhdon të shërbejë si një nga komponentët e zhvillimit të vendit, mbrojtës i sigurisë së tij e katalizator i krijimit e forcimit tonë si shtet.

Gushti i këtij viti përveç që shënon një periudhë 25 vjeçare të pazëvendësueshme për realitetin që gëzojmë sot, vë në pah një rekord historik të kësaj agjencie. Për herë të parë që nga themelimi, Dogana e Kosovës ka arritur të mbledhë mbi 1 miliard euro të hyra për shtatë mujorin e parë, apo 113 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë në vitin paraprak. E kjo është bërë e mundur falë luftës ndaj korrupsionit, thjeshtëzimit të procedurave doganore, e angazhimit të palodhur të punonjësve të kësaj Agjencie, gjithmonë në bashkëpunim me akterët e shtetit, e me partnerët ndërkombëtarë”.

Tutje, shefi i qeverisë kujtoi si nëntë vjet pas themelimit, pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 19 shkurt të vitit 2008, pikat doganore 1 dhe 31 në Jarinje e Bërnjak, u dogjën nga grupe kriminale të mbështetura nga Serbia.

Kurti thotë se rimarrja e kontrollit të këtyre pikave në vëri ka qenë pikë kthese kritike.

“Sot, sado që kjo arritje historike tingëllon e këndshme e na bën krenarë të gjithëve, rruga që na ka sjellë tek këto rekorde nuk ka qenë aspak e lehtë, përkundrazi ka qenë e mbushur me sfida. Dogana e Kosovës u themelua në vitin 1999. Afër nëntë vjet më vonë, pak kohë pas shpalljes së pavarësisë, më 19 shkurt 2008, pikat doganore 1 dhe 31 në Jarinje dhe Bërnjak, në veri të Republikës së Kosovës, u dogjën e shkatërruan nga grupe kriminale të mbështetura nga Serbia. Rimarrja e kontrollit të këtyre pikave dhe vendosja e ligjit në veri të Kosovës kanë qenë pikë kthese kritike”.

Të ngjashme