1.37 miliard euro janë të hyrat vjetore për vitin 2021 nga Dogana e Kosovës, raporton Ekonomia Online. Kjo u bë e ditur përmes një konference për medie nga drejtori i Përgjithshëm i Doganës Agron Llugaliu.
Ai ka thënë se ky vit ka qenë sfidues për ta, por që tha se me një punë ekipore kanë arritur t’i tejkalojnë përditshmëritë.
“Viti që lamë pas ka qenë një vit i brishtë për shkak të sfidave, mirëpo ka pasur mundësi që ti arrijmë objektivat. Një prej sfidave ka qenë rritja e vëllimit të të hyrave, performanca ekonomike rreth 10 për qind, gjithashtu ka lehtësuar”.
“Dogana ka pasur një strategji në ofrimin e kushteve për të gjithë, reformë të proceseve kyçe për evazion fiskal dhe kemi pasur një bashkëpunim me biznese dhe qytetarë. Të hyrat nga Dogana e Kosovës janë 1.37 miliard euro apo 320 milionë më shumë se vitin e kaluar. Kemi pasur të hyra edhe 16 për qind më shumë se vitin 2019. Kjo është bërë pa ndryshime në norma fiskale”.
Përderisa tha se edhe importi ka shënuar rritje krahasuar me vitet paraprake e që mbërrin shifrën e 4.6 miliardë eurove, raporton EO.
“Ajo që kemi vërejtur se ka pasur të hyra më shumë se 30 për qind, ne kemi vërejtur se ka rënie të ankesave të bizneseve dhe na tregon se ka një gatishmëri për t’i paguar taksat”.
“Te importi kemi pasur 4.6 miliardë euro, krahasuar me vitet paraprake ka pasur 3.5 miliardë euro”, tha ai, teksa shtoi se rritje ka edhe në aspektin e mallrave të konfiskuara.
Tutje, drejtori i Doganës tha se ka pasur efikasitet edhe në luftën ndaj kontrabandës me narkotikë, raporton EO.
“Ne kemi arritur të kemi rezultat të parandalimit në mbi 11 milionë euro e që janë importi nga lënda e parë”.
“Gjithashtu ka pas efikasitet në mbrojtjen e Qeverisë, ku 48 raste të zbulimit të narkotikëve gjithashtu keni pas 57 raste me arma të gjitha janë bëtë në bashkëpunim me Policinë në kufi”, tha ai.