Një grup doganierësh kanë mbetur të bllokuar që disa ditë në pikën kufitare në Jarinje, raporton Paparaci.
Siç mëson Paparaci, ky grup ka mbetur i bllokuar nga data 10 dhjetor.
“Që nga data 10.12.22 në pikën kufitare Jarinjë janë bllokuar shumë doganierë. Atyre po u keqësohet gjendja shëndetësore. Që nga dita e dytë marrin ushqim të konservuar”, i ka thënë Paparacit ky burim.
Që nga ajo ditë, për doganierët nuk është interesuar askush.
Madje ky grup doganierësh ushqimin po e marrin në mënyrë të konservuar.
Përveç ushqimit jo të shëndetshëm, ata janë duke u përballë edhe me kushte të rënda higjienike tash e dhjetë ditë.
Gjithashtu disa prej zyrtarëve të Policisë së Kosovës kanë mbetur të vetmuar duke pritur për zgjidhje dhe përgjigje nga personat përgjegjës.
Në anën tjetër, tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur që nga 6 dhjetori, teksa janë regjistruar disa incidente të armatosura, shkruan Paparaci.
Më 10 dhjetor, serbët lokalë ngritën barrikada në veri në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi më 12 dhjetor se Pantiqit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Ai dyshohet për “kryerjen e veprës penale terroriste”.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës Imer Zeqiri, të hënën ka bërë me dije se është i pamundur ndërrimi i patrullave të policëve në veri.
Zeqiri ka theksuar nevojën urgjente për furnizimin e policisë së Kosovës me helikopter, për ndërrimin e patrullave policore pas vendosjes së barrikadave në Jarinjë e Bërnjakë.