Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër, DokuFest, ka mbajtur konferencë për të dhënë detaje rreth programit të edicionit të 17-të të këtij festivali.
“Reflektimi” do të jetë tema që do theksohet në edicionin e sivjetmë të “DokuFestit”, që fillon më 3 gusht dhe mbyllet më 11 gusht, në kryeqytetin historik të Kosovës.
Drejtori Artistik i festivalit, Veton Nurkollari, tha se do të projektohen 260 filma me gjashtë kategori garuese dhe mbi 2500 aplikime, raporton Ekonomia Online.
“Kemi përzgjedhur 260 filma për këtë festival. Kemi arritur të sjellim në Prizren Institutin e filmit të Tajvanit me një program me mbi 20 filma”.
Ai po ashtu tha se do të jetë një numër i madh i regjisorëve të huaj.
Ai tha se festivali ka arritur një hapësirë të jashtëzakoshnme për regjisore femra duke e krahasuar me festivalin e Venecias që ka shumë pak regjisore femra.
“E veçanta e këtij festivali është se në Dokufest janë 87 regjisore femra”.
Drejtoresha e festivalit, Nita Deda, sa i përket programit të muzikës ajo tha se do të ketë tri skena.
“Programi i muzikës shkrihet në tre skena ‘Andrra’ në Marash, te Kalaja dhe Skena Lumbardhi i Prizrenit”.
“Në skenën e Kalasë do të jetë një performancë nga çikat me defa për me shënu trashëgiminë kulturore të Kosovës”.
Sa u përket temave të këtij festivali, ajo tha se ato zgjidhen përmes bisedave me të rinjtë.
Samir Karahoda, programeri i filmave nacional dhe të shkurtër, ka thënë se festivali karakterizohet me 4 gara dhe do të jenë filma shqip, raporton EO.
“2 filma që flasin shqip në garën ballkanike me regjisorin Fisnik Maxhuni dhe në garën ndërkombëtare të filmit të shkurtër me një regjisor shqiptar”.
“ Në garat ndërkombëtare janë 13 filma, 12 konkurues dhe 9 premiera kombëtare”.
“Filmat për fëmijë do të shfaqen çdo ditë me radhë. Fëmijët do të kenë mundësi t’i përcjellin nga kinemaja apo hapësirat e Dokufestit”.
Drejtori ekzekutiv i festivalit, Eroll Bilbani, prezantoi programin e punëtorive dhe paneleve.
“Programi ka një numër të madh të paneleve. Do t’i organizojmë 3 debate të ndryshme dhe do t’i adresojmë të gjitha nevojat e sektorit kulturor të Kosovës”.
Ai gjithashtu shtoi se do të ketë një numër të madh të trajnimeve dhe ligjëratave për filmbërësit e rinj dhe i ftoi të gjithë ata që merren me industrinë e filmit që ta vizitojnë festivalin.