Filmi dokumentari “Zoti i Shpisë”, nga regjisorja holandeze Danielle Bremer, i cili trajton diskriminimin e gruas në traditat shekullore shqiptare, është shfaqur sonte për publikun prishtinas.
Filmi, i cili u shfaq mbrëmë premierë në Festivalin “Dokufest” që po mbahet në Prizren, u dha edhe para një numri artdashësish të mbledhur në Qendrën Kulturore të BE-së.
Dokumentari është mbështetur nga “Culture for All” dhe “Netherlands Film Fund”.
Në qendër të tij është një femër kosovare, e cila që në moshën 13-vjeçare kishte ikur nga shtëpia, pasi babai i saj donte t’ia ndërpresë shkollimin. Ajo lufton për njohjen nga familja e saj, e cila gjithmonë ka jetuar me tradita shekullore shqiptare të bazuara në dominimin mashkullor. Dëshira e saj për respekt dhe vlerësim është vendosur në sfondin e një shoqërie transformuese ku roli i këtyre zakoneve të vjetra, i shkruar në “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, po ndryshon dhe njerëzit kërkojnë pozicionin e tyre në këtë realitet të ri.
Regjisorja Bremer tha se ajo nuk e kishte të vështirë t’i përjetësojë në film këto tradita, pasi që ajo tash e 7 vjet jeton në Kosovë dhe është e martuar me një shqiptar, raporton Ekonomia Online.
“Ideja ka lindur kur fillova të bëjë leximin e ‘Kanunit të Lekë Dukagjinit’, gjatë udhëtimeve nëpër Kosovë që kisha… Vend-xhirimet kanë qenë të veçanta dhe jemi munduar që Kanuni, tradita dhe ligji të paraqesin jetën e përditshme të shqiptarëve”, tha Bremer.
Producenti i këtij filmi, Edon Rizvanolli, tregoi se xhirimet janë bërë në Pejë, Dragash dhe Prizren.
“Kemi kaluar mirë. Siç tha regjisorja, ideja për të bërë këtë film ka filluar nga leximi i Kanunit dhe shëtitjeve që i ka bërë nëpër Kosovë”.
Rizvanolli tha se kur ke një regji të mirë, atëherë puna e producentit lehtësohet shumë.