Dokumente të dyshimta në prokurim publik, Policia e Kosovës ndalon një operator ekonomik

Prishtinë | 25 Nën 2025 | 17:13 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka njoftuar se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka përmbyllur një hetim disa mujor, që lidhet me dyshime për parregullsi në një aktivitet të prokurimit publik në rajonin e Gjilanit.

Sipas komunikatës, hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe kanë rezultuar me sigurimin e provave relevante për rastin. Dyshohet se një operator ekonomik ka dorëzuar dokumentacion në kundërshtim me kërkesat ligjore të prokurimit publik.

Po ashtu, ekzistojnë dyshime të bazuara se dokumentet e paraqitura kanë qenë të pasakta ose të pavërteta, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.

“Bazuar në veprimet hetimore është krijuar dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrim në prokurimin publik’,” thuhet në njoftimin e policisë.

Personi i dyshuar është intervistuar në prani të mbrojtjes ligjore, ndërsa prokurori kompetent ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.

Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e krimeve ekonomike, ndërsa hetimet për rastin do të vazhdojnë sipas procedurave ligjore.

Të ngjashme