Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike ka hedhur në diskutim publik Planin Kombëtar të Veprimit për Efiçiencë të Energjisë 2019-2021.
Bazuar në këtë dokument, termocentrali “Kosova A” do të çaktivizohet dhe zëvendësohet me termocentralin “Kosova e Re” në periudhën 2020-2023. Partnerët qeverisës aktualë-LVV e ka kundërshtuar ndërtimin e këtij termocentrali, ndërsa LDK-ja ka thënë se nuk e përkrah marrëveshjen e Qeverisë së kaluar me kompaninë “Contour Global” për ndërtimin e tij, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Koha Ditore” është përpjekur të marrë përgjigje lidhur me këtë plan nga ministrja e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, por ajo nuk është përgjigjur.
Plani Kombëtar i Veprimit për Efiçiencë të Energjisë 2019-2021, ka dalë në konsultim publik të mërkurën dhe do të jetë i hapur për komente deri më 3 mars të këtij viti. Në Platformën e konsultimeve publike është paraqitur si dokument i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, e cila me formimin e Qeverisë së re është fuzionuar bashkë me disa ministri në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.