U fjalosën për konkursin, mbyllet “konflikti” mes aplikantit dhe inxhinierit të KEK-ut

Prishtinë | 06 Pri 2022 | 16:31 | Nga Ekonomia Online

Ylli Shala, anëtari i një komisioni pranues për punësime në KEK, i ka shkruar mbrëmë Patriot Brahimit, një aplikanti që kontestoi konkursin e fundit të korporatës.

Paparaci, ka siguruar një shkëmbim të bisedave mes Shalës dhe Brahimit.

Të dy u përfshin në një debat publik në fillimin e kësaj jave pasi Brahimi përmendi emrin e Shalës në një denoncim publik për shkeljet e dyshuara në punësimet e KEK-ut.

Inxhinieri i KEK-ut dhe aplikanti Brahimi kanë gjetur pajtimin.

Shala i ka kërkuar Brahimit që të mos e poshtërojë punën e tij.

“Patriot, pa marr parasysh se ti më paske incizuar bisedën e po mundohesh me më poshtërua, në rregull vazhdo ti, biseda me ty nuk ka qenë me qëllim të keq e as nuk ka pas kërcënim. Unë si djalë dëshmori që je më vjen shumë keq që nuk ke arritur pikët me u pranuar në KEK, të kujtoj nuk ke qenë të unë kandidat. Unë e di që ke hall, i lutem zotit për ty”, i thotë Shala, Brahimit.

Megjithatë, Brahimi i ka vënë në dyshim qëllimet e Shalës, i cili është anëtar i Komisionit Pranues për punësime në KEK.

“Lutjet e tua po të jen të sinqerta më kishit marrë parasysh. Ka konkurse të tjerë dhe deri në kiamet ka me aplikua deri të pranohem, edhe 500 herë nëse është nevoja, veç jo i nderuar ti dy vëllezër në punë e unë asnjë anëtarë të familjes”, përgjigjet Brahimi.

Por, historia mes Shalës dhe Brahimit është mbyllur në “paqë”. Ata janë pajtuar që të takohen për kafe.

“Kismet, si të kryhet procesi kemi me nejt me respekt edhe një herë për familjet e dëshmorëve”, i premton anëtari i komisionit, aplikantit.

Shala e kishte telefonuar të dielën Patriot Brahimin.

Brahimi, i cili aplikoi për punë në konkursin e fundit të KEK-ut por pa arritur të punësohej në korporatë, kishte deklaruar se është telefonuar nga Ylli Shala, inxhinieri i KEK-ut dhe anëtari i Komisionit Pranues në procesin rekrutues i cili dyshohet për përfshirje në nepotizëm.

Thirrjen telefonike nga anëtari i Komisionit Pranues në punësimet e KEK-ut, Brahimi tha se e mori pas shfaqjes së tij në publik me pretendime për shkelje në procesin rekrutues në KEK.

/express/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme