Skuadrat europiane dominuan në Botërorin e futbollit këtë verë, madje 4 ekipet gjysmëfinaliste ishin nga kontinenti i vjetër.
Pikërisht për këtë, presidenti i UEFA-s vlerësoi federatat anëtare, ndërsa lavdëroi edhe Francën për fitoren e kupës, si dhe Kroacinë për rrugëtimin epik deri në finale.
“Dua të uroj Francën për këtë arritje të shkëlqyer, por gjithashtu të vlerësoj edhe Kroacinë për cilësitë e panumërta dhe përpjekjet që e çuan deri në finale. Mendoj se trajneri Deschamps bëri një përzierje të mirë të eksperiencës me të rinjtë, por jo vetëm Franca shkëlqeu në këtë turne. Ishte protagoniste edhe Europa. 10 nga 14 skuadrat e kualifikuara nga Europa shkuan në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë, 6 prej tyre shkuan në çerekfinale, ndërsa dominuam në gjysmëfinale. Ekipet europiane dominuan një muaj të paharrueshëm në Rusi”, tha presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin.
“UEFA po bën një punë të mirë dhe jo që kur kam ardhur unë, apo sepse jam unë në këtë post. Ne gjenerojmë shumë parà që ua shpërndajmë federatave siç duhet. Bashkëpunojmë me ish-futbollistë që e dinë se ku mund të përmirësohemi. Investojmë në infrastrukturë dhe çdo fëmijë në Europë mund të zbulohet tani lehtë për talentin e tij, gjë që nuk ndodh në çdo kontinent”, tha kreu i UEFA-s.