“Don Kishoti” si kërcënim real

Prishtinë | 11 Nën 2025 | 18:23 | Nga Arben Fetoshi

Një ndërhyrje e radhës nga Serbia, që s’meriton vëmendje sepse më nuk është as lajm. Në kushte normale, emërimi i Srecko Spasiq nga Qeveria e Serbisë në krye të “komunës paralele” të Vitisë, do të ishte një vendim qesharak, që ta kujton luftën e Don Kishotit me mullijtë e erës. Mirëpo, në kontekstin e “Botës Serbe”, ky akt është një veprim perfid që kërcënon Kosovën, rendin demokratik, BE-në dhe NATO-n.

Kandidati që “tërhiqet” nga gara e balotazhit për kryetar të Kllokotit, “shpërblehet” nga Vuçiq në dimensionin paralel të strategjisë hibride, si simbol i “legjitimitetit” të Serbisë në Kosovë.

Krahas Listës Serbe, me të cilën Beogradi e kontrollon përfaqësimin institucional të qytetarëve serbë, “strukturat paralele” janë mesazh për mobilizimin e tyre kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Edhe pse ‘de facto’ të shuara për shkak të ilegalitetit, ato përdoren për narrativat mashtruese të “diskriminimit e terrorit”, edhe te serbët edhe në nivelin ndërkombëtar. Çdo sinjal reflektimi e integrimi te qytetarët serbë, duhet të goditet me plumba, me linçim, me frikësim apo me para e “poste”, si në rastin e Vukashinoviq nga Leposaviqi dhe tani të Spasiq nga Kllokoti.

Provokime përmes personave të armatosur në veri, “viktimizim” ndaj pranisë së institucioneve të Kosovës, manipulim përmes propagandës dhe bashkërendim operacionesh me Rusinë, si strategji destabilizimi e Serbisë në funksion të projektit të “Botës Serbe” dhe si “vijë e frontit” jug-perëndimor për qëllimet revizioniste të Putinit kundër rendit ndërkombëtar, zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s dhe vlerave perëndimore.

Serbia e din se arkitektura aktuale politike e Ballkanit Perëndimor e pamundëson “Botën Serbe”, prandaj emëron “kryetarë” e vazhdon ta luftojë NATO-n si “agresore” dhe Kosovën si “shtet të përkohshëm”.

Pra, emërimet e tilla imagjinare s’do të kishin asnjë rëndësi sikur Brukseli të reagonte me vendosmëri. Por, ndërsa Serbia vazhdon agresionin kundër Kosovës dhe “ngjesh armët” me Rusinë kundër Perëndimit, “ndërmjetësit e dialogut” mjaftohen edhe më tutje me deklarata për “de-eskalim” e “normalizim”.

Një qasje e tillë e faktorëve ndërkombëtarë, në Beograd do të vazhdojë të lexohet si “leje” për ta avancuar “vëllazërinë sllave” në Ballkan.

Të ngjashme