Donald Trump nën arrest pasi arrin në gjykatë

Prishtinë | 04 Pri 2023 | 20:05 | Nga Ekonomia Online

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka arritur në një në një gjykatë në Manhatan të Nju Jorkut, ku do të përballet me akuza penale të martën, 4 prill. Ai është nën arrest teksa i lexohet akuza ndaj tij.

Gjatë rrugëtimit të tij, pak para se të arrinte në gjykatë, Trump postoi në platformën e tij “Truth Social”.

“Duke u nisur për në Manhatin e Poshtëm, në ndërtesën e Gjykatës. Duket kaq SURREALE – UA, ata do të më arrestojnë. Nuk mund ta besoj se kjo po ndodh në Amerikë”, shkroi Trump.

Para se të hynte brenda ndërtesës së gjykatës, ai i përshëndeti përkrahësit e tij, të grumbulluar aty pranë.

Avokatët e tij kanë thënë se ai do të deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzat për një pagesë që dyshohet t’ia ketë bërë yllit të pornografisë, Stormy Daniels, në përpjekje e sipër për të blerë heshtjen e saj, për një aferë të supozuar.

Pagesa besohet është kryer në mënyrë të ligjshme, mirëpo supozohet se Trump e ka regjistruar atë si shpenzim biznesor. Falsifikimi i regjistrave biznesorë në Nju Jork, përbën shkelje.

Paraqitja e Trumpit para gjykatësit Juan Merchan pritet të jetë relativisht e shkurtër – Trump do t’i japë shenjat e gishtërinjve, do t’i dëgjojë akuzat kundër tij dhe do të deklarohet, siç pritet, i pafajshëm.

Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar t’i komentojë këto zhvillime.

“Ky është një rast në zhvillim dhe ne nuk do ta komentojmë,” tha sekretarja e shtypit Karine Jean-Pierre. “Presidenti do të përqendrohet te populli amerikan, siç bën çdo ditë”.

Merchan ka vendosur që kamerat televizive nuk do të lejohen në sallën e gjyqit.

Të ngjashme