A doni drejtësi, o zotni?

Prishtinë | 17 Shk 2017 | 11:20 | Nga Berat Armagedoni

E lexova para pak ditësh letrën publike me titull “ASHAK – cenuese e interesave shkencore, kulturore dhe zhvillimore të Kosovës”.

Para pak ditësh e lexova letrën e 47 intelektualëve të Kosovës, të rinj e të vjetër, dërguar medieve, kryesisht për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe për akademikët e rinj.

E lexova letrën e 47 nënshkruesve, pjesa më e madhe e tyre doktorë të shkencave, një pjesë e tyre magjistra, një pjesë tjetër – prozatorë dhe poetë.

E lexova letrën e dalë nga Çerdhja e Nacionalizmit Shqiptar, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe i gjithë Kosovës.

S’do të reagoja kundrejt kësaj letre dhe kundrejt të nënshkruarve po mos të ishin aty disa që janë. Por, meqë disa janë e disa nuk janë, duhet t’i them disa fjalë për ta, të cilët, meqë kanë ftuar njerëz për nënshkrim e për reagim, është dashur të dinë se nuk po mbledhin folklor për “Visarët e Kombit”, as për “Bëletën shqiptare”.

Para pak ditësh më është kërkuar, nëse do të më pëlqente përmbajtja e saj, që letrën “ASHAK – cenuese e interesave shkencore, kulturore dhe zhvillimore të Kosovës”, ta nënshkruaja edhe unë. Por këtë letër që po e lexoj sot, këtë të mërkurë të 1 shkurtit, nuk e kam lexuar aty ku më priste ta nënshkruaja.

Po e lexoj tash që është bërë publike por që, me marrëveshje me ndonjërin, sidomos me atë kryesorin që e ka shkruar dhe që nuk e di kush është ai, nuk do ta lija të publikohej kështu si është publikuar, me emrat e disave në të, pa dhënë arsye vetë ata, pse po e bëjnë sot një gjë të tillë, pse sot janë kundër disa anëtarëve më të rinj të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës e punës së tyre, për të cilët vite më parë shkruanin mirë për ta dhe për veprat e tyre, madje i ngrehnin në qiell për vlera, kryesisht dhe krejtësisht për interesa të vetat personale, duke u bërë lajka në rrugë, nëpër biblioteka, nëpër medie të shkruara dhe “online”, edhe duke u kontribuar me llajka (“like”) në rrjete sociale surrateve të tyre, vetëm për të përfituar një vend pune të rregullt aty ku disa prej tyre sot janë, edhe për të siguruar një vend tjetër pune për dikë tjetër, po kaq të rëndësishëm sa të vetin e po kaq të dashur për veten, për ndonjë pjesëtar të familjes.

Prandaj, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës nuk është dashur të goditet me të tillë njerëz. Nuk është dashur sepse të tillët nuk kanë çfarë t’i bëjnë edhe nëse punojnë natën e ditën që ta bëjnë rrafsh me tokë dhe ta bëjnë “tokë të zezë”! Nuk shkruhet sot keq për ata që janë bërë akademikë tash vonë sepse nuk zhbëhen më edhe nëse i bëjnë të vdesin. Absolutisht nuk duhet të shkruajnë keq për akademikët e rinj, për karrierën e tyre ashtu si e kanë, ata që kanë kontribuar, vite më parë, me lajka dhe llajka (“like”), që ata të bëhen akademikë.

Prandaj, më vjen mirë që disa shkrimtarë nuk e kanë emrin në këtë letër.

Prandaj, ndiej keqardhje që disa studiues e kanë emrin në këtë letër.

Për disa të tjerë, që janë, si çdoherë, joparimorë, as nuk më vjen mirë, as nuk më vjen keq. Ashtu sikurse i kam lënë që sa vjet, ashtu po i gjej edhe sot: servilë dhe të shtrirë për tokë!

Në një letër jo të tillë, jo kështu si është shkruar kjo tash, do ta kisha vënë firmën edhe unë në rast se do të shkruhej duke gjykuar të gjithë njësoj, të gjithë duke qenë parimorë, duke i bashkuar gjykimi i drejtë për ndalje të së keqes atje ku mendojnë se i ka shtrirë rrënjët edhe përtej sesa që është e lejueshme, e jo pjesa më e madhe e të nënshkruarve, të cilët nuk i ka bërë bashkë gjykimi i drejtë mbi Akademinë, t’u shërbejnë interesave të paksave, për të cilat nuk kanë qenë në dijeni pjesa më e madhe.

Po çfarë gjykojnë në këtë letër 47 veta?

Kë e gjykojnë?

Kush janë ata që gjykojnë?

I gjykojnë konferencat shkencore që ka organizuar Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. I gjykojnë dhe i quajnë të pavlera e të përgatitura keq këto konferenca disa që kanë marrë pjesë me ndonjë kumtesë në to dhe, para se të futen brenda në objekt të Akademisë, po të njëjtit, te hyrja e saj kanë bërë fotografi dhe i kanë ngarkuar në “Facebook”, pastaj kanë bërë edhe të tjera në sallën ku janë mbajtur ato konferenca dhe, në fund, pos që e kanë ngarkuar edhe një fotografi tjetër po në “Facebook”, e kanë quajtur, cilëndo prej atyre konferencave e tryezave që ka organizuar kjo Akademi, “konferencë ose tryezë e veçantë shkencore”. E kanë quajtur atëherë kështu vetëm sepse kanë marrë pjesë vetë. E quajnë sot kështu sepse nuk janë bërë akademikë. Pra, sot, për çudi, në letrën e tyre thuhet se janë organizuar konferenca dhe “tryeza për tema të dala kohësh”! E thonë këtë të keqe po disa njerëz që dikur e kanë quajtur të mirë atë tryezë. Përndryshe, po të ishte e keqe, pse do të duhej të merrnin pjesë edhe ata që mendojnë se vetë janë të mirë?!

Kanë shkruar në këtë letër, këta 47 veta, për botimet e AShAK-ut, të cilat edhe i kanë konsideruar të pavlera, edhe materiale të mbledhura nga “Wikipedia”. Por, pse të kritikohet kaq vonë veprimtaria botuese e AShAK-ut, kur AShAK-u është themeluar qëmoti, ka botuar shumë kohë përpara dhe ka botuar, sa është thënë dhe sa është vërtetuar, edhe plagjiaturë, edhe tekste të ricikluara. Pse nuk shkruan këta 47, të gjithë kështu bashkë, dyzeteshtatë muaj më parë për konferencat e saj, për botimet e saj, por shkruajnë tash: kur akademikë janë bërë, ministri i Kulturës i Rinisë dhe i Sportit, Kujtim Shala dhe profesori i Fakultetit të Filologjisë, i Degës së Gjuhës Shqipe, Bardh Rugova?!

Pse jo edhe ndonjë tjetër, përpos Sali Bytyçit, nuk shkroi për akademikët më parë?!

Për veprimtarinë artistike dhe studimore të tyre?!

Pse këta 46 veta e kanë lënë deri tash vetëm Sali Bytyçin të shkruajë, të flasë dhe të bërtasë?!

Athu për një artikull gazete, shkruar për “plagjiaturën” e një akademiku, e punësuan në Institut Albanologjik!?

Nëse ka pasur të drejtë që ka shkruar dhe ka publikuar tekste për plagjiaturën, pse ju të tjerët nuk e përkrahnit publikisht, duke dhënë deklarata në medie, duke shkruar recensione për librin e tij dhe bërë promovime për të kudo, por vetëm ia rrihnit krahët tinëzisht?! Shumë prej jush keni pasur frikë të takoheni me Saliun, të udhëtoni, të pini kafe, të hani drekë, të fotografoheni. Jeni frikësuar nga Qarku i Prishtinës dhe nga Qarku i Akademisë dhe i Sabri Hamitit. Edhe sot, kudo në qytet, i shmangeni takimit me Bytyçin se, mos helbete po ju sheh Sabriu me të e, vaj halli për ju!

Prandaj, pse u dashka të shkruajnë tash, kështu bashkë, këta intelektualë shumë të vonë, shumë më të vonshëm e shumë më të përgjumshëm sesa punonjësit e stërvjetëruar të AShAK-ut?!

Meqë tash janë bërë bashkë, mos menduakan se forca e bën fuqinë dhe e prish përbërjen e tashme dhe të re të Akademisë?!

Pastaj, pse të gjithë këta burra e të gjitha këto gra duhet ta godasin një dhëndër Presheve?!

Pse të gjithë këta burra e të gjitha këto gra duhet ta godasin një burrë dhe duhet ta godasin gruan e tij?!

Çfarë përfitojnë dhe për qejf të kujt u mëshojnë kaq mbrapsht, kaq panjerëzishëm, kaq paparishëm, kaq papartishëm?!

Për interesa personale të një burri dhe të një gruaje tjetër, që nuk iu bë vendi, me të drejtë, në Fakultet të Filologjisë!? Hëm…

Pse deri dje Bardh Rugova ishte studiues i mirë e sot u bë studiues i keq?!

Që ta dini, ai e ka po atë kurs të shkrimit sikurse e kishte atëkohë kur lavdërohej. Edhe është i njëjti Bardh dhe e ka po atë dukje fizike, të bardhë.

Kritikohet AShAK-u, ndër të tjera, edhe për mosbashkëpunim me institutet shkencore të Kosovës.

Po nga kush?

Nga 47 persona që s’kanë kurrfarë bashkëpunimi me institute shkencore, madje as me atë prej aty ku është nisur letra – me dhe nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.

Merreni me mend, 47 veta e akuzojnë AShAK-un për korrupsion pa bërë klasifikim të llojit.

E akuzojnë AShAK-un se pranoi politikanë e anëtarë partiakë të së njëjtës parti – LDK-së.

Harrojnë, prej këtyre dyzeteshtatëve, disa prej tyre, se janë bërë profesorë universitarë duke u shërbyer profesorëve partiakë, duke shkruar për ta dhe për librat e tyre, duke i ndjekur mbrapa e thurur lavde e duke i mashtruar në pikë të ditës e të natës, vetëm për t’ua bërë një vend pune në fakultet.

Harrojnë disa prej këtyre të nënshkruarve në këtë letër, se janë bërë punonjës shkencorë të instituteve duke dërguar fillimisht mesitin politik në Institut Albanologjik, pastaj duke u marrë vesh për shpallje dhe përshtatje të konkursit për ta, edhe për marrje në punë të tyre aty.

Harrojnë disa prej këtyre dyzeteshtatëve, se duke ua bërë qejfin të tjerëve, janë punësuar dhe bërë punonjës shkencorë pa pasur lidhje me shkencë, as me art, as me kulturë. I kanë shkruar nga dy libra dhe i kanë shkruar dhe botuar shkel e shko.

Harrojnë disa të tjerë, po në këtë letër që e kanë emrin se, edhe pse i akuzojnë anëtarët e AShAK-ut për plagjiaturë, për të njëjtën “hajni intelektuale” u përmendet emri kudo sot e 100 vjet, në medie dhe në shoqëri.

Për çfarë nuk akuzojnë tjetër këta 47?

Le të na thonë mbi gjysma e këtyre 47-ve, si janë punësuar vetë në institucionet ku punojnë.

Pse këta 47 veta nuk e mohuan punën shkencore, asnjëherë më parë, të asnjërit libër të Kujtim Shalës, rreth 40 sa i ka botuar deri tash, as ndonjërin libër të Bardh Rugovës, rreth katër a pesë sa i ka?

Pse të njëjtit, meqë mendojnë se Shala dhe Bardhi nuk janë për akademikë, s’u mëshonin rreptë studimeve të tyre kur duhej, por tash kur e ngrehin zërin kundër tyre, krejt kot?!

Madje, për t’i gjykuar jo vetëm punimet e këtyre dy anëtarëve më të rinj të Akademisë, por të të gjithë atyre që janë aty në Akademi, ata që kritikojnë moralin duhet ta kenë fort të pastër, bre! Thjesht, duhet të jenë fort në rregull me ligjin, me artin, me shkencën, me neve që ua shohim punët artistike dhe ato shkencore. Për disa nga këta smirëzinj, vazhdimisht duhet një tekst kësisoj – i keq dhe i rreptë. Dhe, po vazhdimisht, duhet një njeri si unë që s’përton t’u përgjigjet këtyre dhe gjithkujt që flet për parime pa qenë parimor e pa qenë punëtor shkencor.

 Nga një ‘curriculum vitae’ për 47 nënshkruesit

 Emin Kabashi

A i keni lexuar veprat e prof. dr. Emin Kabashit? Ju që i keni lexuar, çfarë mendimi keni për ato që i ka botuar? Meqë ka qejf të bëhet, a do ta bënit akademik duke i vlerësuar veprat e tij studimore, prozaike dhe poetike?! S’kam çfarë të shtoj tjetër, përpos edhe këto dy fjali për të: Ka shumë kohë që është në Institut Albanologjik, në të cilin do të duhej të bënte shkencë të letërsisë por, ja që shumë pak përmendet për studime, aspak për teori. Vetëm teza e magjistraturës për poetikën e veprave të Lasgushit dhe ajo e doktoratës për veprat e De Radës, detyra shkollore të kryera dhe të mbrojtura në fakultet, nuk ia arsyetojnë punën e deritashme në Institut dhe nuk e privilegjojnë ndër të tjerët aty dhe as nuk i bëjnë nder ta kritikojë punën e Akademisë dhe të akademikëve. Pse të reagojë tash?! Pse nuk reagonte më parë dhe pse jo pa këta shokët e vjetër e kolegët e rinj?! Ky burrë Kabashi, me formimin që ka, s’do të duhej të kishte drojë nga askush, edhe nëse do t’u dilte përballë krejt anëtarëve të Akademisë. Por, meqë për vite të tëra ka marrë, për çdo muaj, nga 1 200 euro pagë në IAP, edhe nuk i kanë interesuar punët e të tjerëve shumë, as çfarë thotë politika, as çfarë thotë shkenca, as çfarë thotë kulturë e as çfarë thonë për këto. Emini është punësuar aty për të lexuar dhe për të shkruar. Tjetër punë aty nuk ka askush. Por, kanë të tjera punë tjetërkund. Një e ka edhe Emini, i cili, në këtë moshë, tash që është në pension, shkon ligjëron për kulturë të gjuhës shqipe në kolegjin e kushëririt të vet – të Shyqeriut, në të cilin studentëve nuk ua mëson shqipen drejt, sepse s’e njeh mirë.

Lulzim Lajçi

Edhe punonjësi tjetër i Institutit Albanologjik, në disa dokumente i shkruar Lulëzim e në disa të tjerë Lulzim, ka disa vjet që punon në Institut. Përpos nja tre librave, nuk di ku ta gjej të katërtin e tij për lexim. Instituti doktorët i paguan shumë dhe i paguan vetëm për të studiuar dhe për të shkruar, prandaj edhe Lulzimi është dashur ta lulëzojë shkencën dhe ta qëndisë mirë atë që e nxjerrë në dritë. Për të gjitha ato vite pune aty, ka prodhuar pak dhe s’ka prodhuar për t’u përmendur e mbajtur mend gjatë. Lulzimin, edhe pse është stinë e preferuar e tij, s’e përmendin as në pranverë sepse çel rrallë, një herë në dhjetë vjet dhe, sa herë që çel, vyshket shpejt. Lulzim sekretari s’është dashur të pushojë kurrë së reaguari jo vetëm ndaj Akademisë, por edhe ndaj institucioneve të tjera, edhe ndaj Ministrisë së Arsimit të Shkencës dhe të Teknologjisë, e cila rrallëherë ia ka tumirur kërkesat për shtim të numrit të punonjësve shkencorë e ky asnjëherë, siç e ngrehte zërin publikisht Zymer Neziri për shtim të punonjësve dikur, s’i ka reaguar Bajramit, por as Bujës, kurrë. Kështu që Lulzimi, edhe si numër, në këtë letër është pa vend.

Qemal Murati

Ky studiues i gjuhës, i ndikimeve reciproke midis shqipes dhe maqedonishtes, i këngëve kërçovare, i standardit të gjuhës dhe i kulturës së shprehjes, i gjuhës së medieve e i disa studimeve e botimeve me rëndësi për gjuhën e gazetave, të cilat tema po i tall dhe po i konsideron joserioze kolegu i tij, Sali Bytyçi, ka reaguar shumë vonë edhe për AShAK-un, edhe për anëtarët e vjetër e të rinj të saj. Meqë i ka shkruar dhe botuar mbi 20 libra, është dashur të shkruajë edhe për kulturën e gjuhës të Kujtim Shalës dhe të Bardh Rugovës, për veprat e tyre. Duke u rënë këtyre herët, sa ishin të vegjël, do t’ua linte pezull dëshirën për t’u bërë akademikë. Pra, Qemali ka reaguar vonë, por ka botuar mjaft sa për t’u anëtarësuar në Akademi.

Mehmet Ahmetaj

Kurrë nuk kam dëgjuar për emrin e tij, sepse kurrë emrin e tij në medie parë nuk e kam, as në revista letrare, as në ndonjë konferencë shkencore. Madje, sa mora vesh, edhe ishte bërë doktor. Madje, edhe kishte shkruar për gjuhën shqipe, për të folmen e Plavës dhe të Gucisë e për rrethinat e tyre. Madje, edhe për të folmen në Anën e Malit. Pasi ka shkruar për të gjitha këto anë, qysh nuk e dëgjova ta thotë, deri më sot, një fjalë për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Tash i ra ndërmend se çfarë akademikë ka Akademia! Së këndejmi, nuk e di a punon në IA (Institut Albanologjik), apo në ndonjë AI (Agjenci Inteligjence), por kishte shkruar dhe botuar shumë pak, kurse i kishte bërë goxha do vjet. Njerëzit që nuk shkruajnë libra e që thonë e mendojnë se janë intelektualë, duhet të shkruajnë, së paku, reagime dhe kolumne për gazeta, bre!

Agim Vinca

Nuk lë gjë pa lexuar sa herë që shkruan dhe publikon. Është historian i letërsisë. E ka kokën plot data. Plot shkrimtarë. Mund ta quajmë “Wikipedia”, mund ta quajmë edhe fjalor enciklopedik. Ka botuar libra publicistikë, studimorë, teorikë dhe poetikë. Jo edhe prozaikë. Edhe po mos t’i botonte të gjithë ata libra që i ka botuar, i ka mbushur faqet e gazetave me reagime të ndryshme kundrejt atyre që e dëmtojnë kulturën, arsimin dhe shkencën. Jo vetëm pas luftës, por edhe para luftës ka qenë zë kryengritës. Asnjë akademik nuk e ka vendin më me mëritë sesa që do të duhej ta kishte dhe të ishte aty, në Akademi, Agim Vinca. Reagimi i tij kudo që është bërë, jo edhe në këtë letër, ka qenë me vend. Tekefundit, pse pranohen akademikë Kujtim Shala dhe Bardh Rugova e nuk pranohet Vinca?! Pse i pamundësohet, tashmë edhe me ligj, mospropozimi e as bërja akademik?! Dhe, pos që nuk ia japin këtë të drejtë, Rektorati i UP-së, Marjan Dema, s’e shpall as “Professor Emeritus”, i cili vendim i takon më shumë se cilido tjetër profesor. Por, Vincës, mbase në kurriz të profesor Rexhep Qosjes, me të cilin kurdoherë është ndier më afër sepse po kurdoherë e ka përkrahur, i janë bërë padrejtësi dhe i është mohuar dhe pamundësuar anëtarësimi në Akademi. Për mua dhe për cilindo tjetër që mendon si unë, ai e ka vendin aty dhe është akademik, ani pse nuk i merr ato 1 000 e kusur euro që i marrin ata. Megjithatë, firmën që e ka hedhur në letrën “ASHAK – cenuese e interesave shkencore, kulturore dhe zhvillimore të Kosovës”, duket se e ka hedhur pa menduar drejt dhe, kryesisht, emocionalisht.

Pse e them këtë?

Sepse profesor Vinca i ka akuzuar njerëzit për brejtje ndërgjegje, kurse po me të njëjtit i reagon AShAK-ut. E palogjikshme dhe e papranueshme për mua, kur e di që shkruan dhe kur e di që thotë: “Shkenca dhe morali, sikurse edhe arti dhe morali, fatkeqësisht, shumë herë nuk shkojnë bashkë, për të mos thënë se të shumtën e herëve, sidomos në mjediset e paemancipuara e të babëzitura si ky yni, ecin në drejtime të kundërta” (Agim Vinca, “Metoda letrare”, 2016, f. 9).

Profesor, qëllimisht jua kujtova këtë fjali dhe qëllimisht po e mbyll me ju, hëpërhë, kështu.

Rexhep Doçi

Bashkëvendësin tim, Rexhep Doçin, meqë tashmë është pensionuar, do ta kursej në këtë rast. Por, Doçin nuk mund ta arsyetoj për reagimin e vonë. Pellazgët, ilirët dhe shqiptarët e njëmend, do të reagonin me kohë, jo pas kohës, i nderuar Rexhep. Prandaj, emri yt aty, meqë ke heshtur gjatë dhe s’ke reaguar kurrë më parë për punën dhe mospunën e Akademisë dhe të anëtarëve të saj, është i pavend dhe nuk më thotë gjë. Doç, vazhdo shkruaj për gjyshërit e ilirëve dhe të shqiptarëve, për pellasdët (pellazgët). Të bërit akademik, edhe pse mund të të bëjë të ndihesh më komod dhe të të bëj më të pasur, mund ta ulë interesimin për të parët tanë. Prandaj, më shumë më pëlqen të lexoj nga ti për të parët tanë sesa për të fundit tanë – për Kujtimin dhe për Bardhin, për të cilët mund të gabosh nëse e thua ndonjë fjalë sepse është dashur t’ua rrahësh kokën moti e t’ua ngrehësh veshët fort.

Xhevat Bislimi

A e dini se Xhevat Bislimi, anëtari i dikurshëm i PDK-së, pastaj i Nismës, tash i LV-së, në Francë pat nisur botimin e një reviste për diktatorin Enver Hoxha. E çmonte aq shumë Enverin saqë nuk gjente njerëz ta çmonin sa donte vetë, prandaj e ndërpreu shpejt botimin e saj dhe u harrua bashkë me revistën. Nuk e di me çfarë teme ka magjistruar Bislimi, por magjistër bërë është. Javën e kaluar shkova në “Pjetër Bogdan” dhe e kërkova emrin e tij. Askund uebfaqja www.biblioteka-ks.org nuk ma shfaqte. As skedari manual. “Google”, po. Në këtë makinë kërkimi, Xhevatin mund ta shihni përkrah Hashimit, përkrah Fatmirit dhe përkrah Albinit. Athu ta ketë shkruar Xhevati ndonjë libër, pos dhënë ndonjë deklaratë në medie, që në këtë letër që jep kontribut me nënshkrim, i kritikon ata që i kanë botuar disa libra!? Po të ishte ky “peticion” i LV-së, Xhevat Bislimi do të duhej të zinte vend sipas renditjes alfabetike duke nisur nga emri e jo sikurse hartohen bibliografitë, duke nisur nga mbiemri. Pra, “peticioni” ka ngarkesë politike dhe shumë pak etike.

Fatmir Arifi

As s’e njoh as s’e kam parë fizikisht, përpos në ekran të televizorit, në rrjete sociale dhe mediale. Nuk di gjë për fatin e tij. Profesor i thotë vetes, por nuk e di i cilës shkollë, i cilës lëndë, i cilit fakultet. Kush ia dha këtë titull akademik!? Emrin e tij s’e gjeta kund as në “Pjetër Bogdan”. Pale nga është! Pale çfarë bën! Pale çfarë shkruan! E di që dikur, kur bacë Adem Demaçi ishte i fortë fizikisht e mendërisht, ky i shkonte pas dhe fotografohej përbri tij po si çilimi. Po ashtu, kam parë se nuk po përtonte të shprehej shkujdesshëm dhe të uronte paefektshëm: “T’i rrofshin bolet!” Përpos rrojës së fytyrës së vet, athu bën ndonjë rrojë tjetër ky Fatmiri?! Duhet ta ketë fatin më të mirë, shpresoj!

Shefik Sadiku

Janë disa Shefik Sadika. I gjen akëku, por jo akësekush duhet t’ua mbush mendjen për t’ua marrë një nënshkrim. Meqë janë disa të tillë, e kam të vështirë ta gjej saktë cili prej tyre e ka nënshkruar “peticionin”. Por, mund t’ju them se kurrë emrin e tij parë kund s’e kam. As nuk e di çfarë bën. As nga është. Po ta kishte botuar ndonjë libër, do ta mbaja mend emrin e tij ose të librit të tij. Edhe po të botonte ndonjë artikull në ndonjë gazetë, do të më sillej Shefiku ose artikulli ndërmend. Por, fatkeqësisht, s’kam në kujtesë asgjë me emrin Shefik, por kam me emrin Tefik.

Sadri Ramabaja

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje! (LV-së) në Komunën e Prishtinës, Sadri Ramabaja, këtë reagim të tashëm, me 46 të tjerët, është dashur ta bëjë me anëtarët e LV-së edhe pa krisur blloku në mes të partisë së tij dhe LDK-së. Tekefundit, Ramabaja as nuk është marrë me shkencë, as me art, as me kulturë. Opinione, prej që tash është në LV dhe prej që ka ambicie më të madhe sesa për një pozitë të asamblistit, po shfaq duke botuar opinione në medie kundër koalicionit të tashëm të Qeverisë – LDK-së dhe PDK-së. Mbase, në një të ardhme të afërt, nëse vazhdon t’i bjerë Qeverisë, por jo edhe Akademisë, do të përfitojë ndonjë pozitë më të mirë dhe më të lartë nga partia, por jo edhe ndonjë respekt më të madh dhe më të veçantë nga shoqëria. Ramabaja, pos magjistër, është bërë edhe doktor. Nëse këto detyra shkollore i ka bërë libra, nuk e di ku i ka lënë sepse asnjërin s’ia gjeta në asnjë librari. S’e gjeta asnjërin punim të tij as në “Pjetër Bogdan”. Ku ka magjistruar dhe ku ka doktoruar dhe për çfarë, hiç nuk e di por, doktor është bërë! Së këndejmi, kë e përfaqëson Ramabaja në këtë letër: Grupin e Lëvizjes Vetëvendosje! në Komunën e Prishtinës?! Edhe ky emisar politik në këtë “peticion”?!

Sadri Fetiu

Profesorin tim të dikurshëm të mitologjisë mbarëbotërore e të ninullave shqiptare, profesorin Sadri, do ta bëja akademik sikurse janë bërë shumë të tjerë e që s’kanë më çfarë tjetër të bëjnë e të na ofrojnë për lexim përpos ta marrin atë pagë të majme që e marrin tash, krejt belesh. E dua këtë njeri bujar dhe këtë punëtor e bashkëpunëtor të madh. Më në fund, ka bërë mirë që ka reaguar kështu: popullorçe dhe kreshnikçe. Por, Sadriu nuk i di disa dredhi që i dinë disa të tjerë në këtë letër. Madje është shumë i vjetër dhe shumë i drejtë për t’i kuptuar lojërat e tyre të pista. S’e ka moshën për ta stërvitur me të tilla dredhi, por është koha për t’ia bërë me dije të gjitha këto ndyrësi.

Sali Bytyçi

Lektori i dikurshëm i gazetës “Lajm”, i cili fort rreptë, është thënë dhe akuzuar, se këtë punë hulumtuese e ka bërë në bashkëpunim me të tjerët (akuzë e Abdullah Zenelit), i ka rënë plagjiaturës jo vetëm në medie, por edhe në libra, sot i akuzon të tjerët për moral dhe për lidhje politike e për preferenca shoqërore. Para se të them tjetër gjë për të, po e pyes: Sali, o burrë, si u bëre veteran lufte i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? Nëse nuk ke qenë luftëtar dhe nuk ke luftuar, pse pranove ta marrësh dëftesën e luftës? A je ti ai Sali Bytyçi, emrin e të cilit e kam parë në listën e veteranëve të luftës të asaj zone prej nga vjen? Nëse ke dhënë kontribut në luftë, qoftë edhe dhjetë ditë, do të nderoj e të respektoj edhe më shumë sesa për 11 librat që i ke botuar deri më tash. Pesë prej tyre i ke me poezi, dy studimorë (tezën e magjistraturës dhe të doktoratës, nën udhëheqjen e profesor Agim Vincës), katër të tjerë me përmbledhje shkrimesh për recensione të librave. Në mesin e tyre, më të zëshmin dhe të përmendurin: “Hamitologjia”, i cili të ngjalli, pas 50 vjet vdekje klinike! Sali, ti ke reaguar ndaj Akademisë mjaft shpesh dhe mjaft me vend. Ke reaguar edhe më shumë sesa ka reaguar akademik Rexhep Qosja kundrejt kolegëve të vet. Më shumë se ti, besomë se askush tjetër s’e ka vendin më me vend në këtë letër. Por, reagimet mos i mbush me sharje nëne, se nuk të bëjnë nder sharjet ndaj djemve të atyre që kurrë nuk i ke pasur gra, as kurrë dashnore, as kurrë njohur e parë. Thjesht, mos u bëj burrë kastravec!

Bedri Zymberi

Ky njeri, duke i pritur me dashamirësi Qosjen dhe Demaçin në zyrën e vet sa ishte drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, mbet pa punë. Ia bëri LDK-ja, me mbështetjen e PDK-së, një dredhi të madhe dhe e lanë, edhe sot e kësaj dite, në rrugë. Sot askush nuk interesohet për të. As ky nuk po interesohet për ta. Njëqind herë i kam thënë “shaji”, por 99 herë ka heshtur. S’e ka goditur publikisht as AShAK-un, as LDK-në, as PDK-në. Një kësi njeriu të qëndrueshëm emocionalisht s’e kam në qejf. Por, e kam për qejfi Bedri Zyberajn si njeri të formuar, për dijen që ka, për mosdredhitë që nuk din t’i bëjë dhe që nuk i bën. E di se, po të takohej me mua e të rrinte 10 minuta përpara se ta nënshkruante këtë letër e t’i bashkëngjitej atij karvani të gjatë të të nënshkruarve, nuk do ta nënshkruante kurrë. Nuk ka qejf t’i bëhet vegël askujt dhe as t’u shërbejë të tjerëve për nevoja të tyre në raste të jashtëzakonshme, absolutisht jo kur e kanë të domosdoshme dhe jo për ngritje në karrierë. Pra, Bedriu ka gabuar që ka nënshkruar.

Shyqri Galica

Kurrë nuk e ka akuzuar AShAK-un publikisht për asnjë punë. As Kujtim Shalën, as Bardh Rugovën. Në kurriz të veprimtarisë së njerëzve, veprimtarëve kombëtarë dhe shkrimtarëve, thonë se është pasuruar shumë. Nejse! Dhe, i lumtë që ka ditur ta bëjë një këso pune! Nuk e di në është e vërtetë se i ka bërë të gjitha ato para sa është thënë, sepse kurrë financat, hyrjet dhe daljet, mbajtur nuk ia kam. Por, që është dashur ta thotë ndonjë fjalë për AShAK-un, meqë i ka miq Qosjen dhe Demaçin, është dashur ta thotë moti, jo tash dhe jo kaq vonë. Meqë ka heshtur nëpër gazeta e mediume të tjera, është dashur të merret me shkencë më shumë sesa që është marrë. Ka shkruar për Fatos Arapin, për letërsinë e tij, por letërsia jonë kombëtare as nuk nis dhe as nuk përfundon me të. Shyqa, intelektualisht, ka heshtur gjatë. Kombëtarisht ka qenë në vijë me Demaçin dhe pasardhësit e tij. Aferim i qoftë!

Arben Hoxha

Ka reaguar, ndër të tjerë, për AShAK-un dhe anëtarët e rinj, edhe punonjësi tjetër shkencor i Institutit Albanologjik, Arben Hoxha, të cilin e ka doktoruar më meritori ndër letrat shqipe, Rexhep Qosja, për zhvillimin e kritikës letrare shqipe nga viti 1944 deri në vitin 2000. Sa për numër, është dashur edhe emri i tij aty diku dhe nënshkrimi i tij, po aty diku karshi emrit e mbiemrit. Por, Hoxha, as kur e prodhon letërsinë, as kur është studiues i saj, nuk është tamam serioz. Po t’i merrte model të shkrimit, shkrimet e llojllojshme të mentorit të vet, të Qosjes, do ta merrja shembull për të mirë. Pasi s’ka marrë asgjë, përpos notën kaluese për doktoratë, përse duhet ta veçoj nga këta të tjerët!? Së këndejmi, meqë punon në një institucion shkencor dhe lejohen tema turlilloj, është dashur, po sikurse kolegu i vet, Sali Bytyçi, të shprehë interesim për bërje publike të plagjiaturave të ish-profesorëve të vet. Pra, reagimi i tij është me shumë vonesë.

Adil Olluri

Ish-cimeri im, Adil Olluri, ka dalë kundër Akademisë, kundër Bardh Rugovës dhe Kujtim Shalës. Ka dalë kundër këtyre dy njerëzve që i çmonte fort, librat e të cilëve edhe i lexonte, edhe të vetat ua dhuronte për lexim dhe për citim, me nënshkrim dhe me dashamirësi. Nëse e ka injoruar Shala, Bardhi e ka çmuar aq shumë saqë, në një libër të vetin, pa nevojë, citon fjali përshkruese nga libri i tij me tregime të dala mode, në të cilët fjalitë janë shumë të thjeshta për t’u trajtuar në një libër studimor. I citon Bardhi fjalitë e tij pa stil. I çmon ato fjali, nuk e di për çfarë arsye! A është kështu, o Bardh, a jo?! Por, meqë Adili më është rrëzuar tri herë nga provimi që ia kam mbajtur gjatë shtatë vjetëve të miat me të në jetë, s’dua ta them më asnjë fjalë për të. Nuk i kam thënë atij, por u kam thënë të tjerëve se, edhe njëqind libra nëse i shkruan, asgjë të tij më nuk lexoj, sepse miqësia ime me të ka përfunduar atë ditë kur i ka mbetur hatri që kam shkruar një recension për romanin e tij të vogël ashtu sikurse e ka shkruar dhe ashtu sikurse e kam gjykuar – të thjeshtë dhe pas stil. Nëse Olluri sërish boton roman çfarë e ka botuar, do të prezantohet vetëm nëpër medie që i ka shumë në qejf si fëmijët që i duan lodrat, por s’do të bëjë kurrë emër të shkrimtarit të mirë edhe nëse shpërblehet me Nobel.

Meliza Krasniqi

Punonjësja tjetër shkencore e Institutit Albanologjik, Meliza Krasniqi, nuk është Milazim Krasniqi. Është reja e tij dhe gruaja e ministrit të Ministrisë së Bujqësisë të Pylltarisë dhe të Zhvillimit Rural, e Memliut, në kurriz të të cilit është punësuar në Institut.

Po kundër kujt del Meliza, se?!

Del kundër atyre që rrinë me ta, që pinë me ta, që hanë me ta, që i çmon pa masë, sepse ende nuk është mësuar ta vlerësojë dhe ta ndajë të mirën nga e keqja. I bënë, si zakonisht, të dyja bashkë dhe, po si zakonisht, i bënë me bisht dhe i bënë qëllimisht.

Çfarë, përpos tezës së masterit për novelat e Azem Shkrelit, kanë lexuar të tjerët nga kjo?! Përjashto në këtë rast statuset e saj në “Facebook” për: ahengje familjare (dasma dhe syneti), për fustane të nusërisë, për manikyr dhe pedikyr e për tema të tjera, kryesisht për gratë. Me një fjalë, Meliza noton lehtë dhe noton me sportivitet. Hiç nuk e ka dert çfarë të ka thënë dje. E rëndësishme për të është, çfarë të thotë sot. Do të doja, natyrisht edhe do ta çmoja fort, nëse atë që e ka thënë dje, ta thotë edhe sot. Letërsisë shqipe i duhet, përpos një burrë, edhe një grua e guximshme dhe e rreptë.

Melizë, mundësinë e ke të bëhesh dhe të përmendësh për këtë punë. Vetëm ngul këmbë në punë shkencore dhe në tema të mëdha.

Nuridin Ahmeti

Nuridini është një djalë i edukuar. Është pika e djalit. Kështu ma krijonte përshtypjen sa herë e shihja teksa zbriste shkallëve të objektit ku banonte dhe ku banoja, ose teksa hynte dhe dilte nga ashensori i atij objekti ku banonim, kështu ma lë përshtypjen edhe sot sa herë që e shoh. Por, Nuridini ka disa vjet që është punonjës shkencor dhe ka bërë pak punë. Një tezë magjistrature, për kontributin e klerit mysliman në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (1878-1912) në Vilajetin e Kosovës, e kam lexuar po atë vit që e pata njohur Nuridinin. Doktoratën e tij, ende jo. Me këto dy punime, jo edhe me ndonjë reagim të mëparshëm, nuk i arsyetohet reagimi i tashëm kolektiv me dostat e IAP-it. Prapë do ta shikoj si gjithherë, si djalë të mirë dhe të edukuar. Qe besa, edhe të zgjuar.

Naim Berisha

“Leksiku dhe frazeologjia në trevën e Gjakovës” quhet punimi i tezës së magjistraturës së tij, të cilin e ka mbrojtur në vitin 2013 në Filologji. Është doktoranti më i ri i Institutit Albanologjik, tezën e doktoraturës të të cilit ende nuk e kam parë, sepse ende nuk e ka sjellë nga Shqipëria në Kosovë që e mbrojti vjet, e që e mbrojti pa i mbushur katër vjet nga magjistratura. Sigurisht, edhe në Shqipëri ka shprehur këtë interesim, nëse jo për Gjakovën, për ndonjë frazeologji të ndonjë treve tjetër të Kosovës. Por, Naimi, meqë nuk i është dhënë mundësia ta kryejë doktoraturën në Kosovë, është dashur të reagojë pandërprerë ndaj Universitetit të Prishtinës, krerëve të tij, pastaj edhe ndaj Ministrisë së Arsimit të Shkencës dhe të Teknologjisë, të cilët nuk ia mundësuan regjistrimin e doktoratës në Kosovë. Nëse do të kishte kohë, pastaj do të duhej ta grithte pak edhe AShAK-un ose, së paku, muret e saj. Megjithatë, edhe pse nuk e ka bërë asnjërën, nuk e ka kritikuar “Hasan Prishtinën” dhe as Akademinë, po më vjen mirë që po ia shoh emrin në këtë listë këtij djali të ri. Shoh se nuk po përtuaka të marrë pjesë në këso ndjenja e ndenja të përbashkëta! Menduaka dhe pranuaka se, çfarëdo që t’u ndodhë të tjerëve, t’i ndodhë edhe këtij! Intelektuali nuk matet kështu, o Naim! As nuk bëhesh intelektual kështu, o Naim! Ose duhet të reagosh fort, ose duhet të heshtësh krejt. E sheh se yt shok, Gëzimi, nuk reagoi ndaj askujt dhe e gëzoi çmimin vjetor të MKRS-së për studimin që ka bërë dhe mbrojtur një herë në Shqipëri, tash edhe në Institut!

Arbnora Dushi

Studiuesen e folklorit, Arbnora Dushin, e kam parë se ka shkruar për folklorin brenda dhe jashtë kufijve tanë, edhe për elementet e epikës gojore shqiptare në prozën e Kadaresë dhe për rrëfimin personal si një lloj i letërsisë gojore. Po pse kaq vonë të reagojë ky emër mjaft me domethënie? Ku i ka pasur sytë deri tash dhe ku mendjen kjo zonjushë?! Nuk shihte çfarë ndodhte në Akademi?! Nuk shihte çfarë ndodhte në Kosovë?! S’ia merrte mendja t’i mëshonte Akademisë dhe akademikëve? Gratë, kur bëhen punonjëse shkencore, bëhen të vyeshme edhe të reagojnë vetë dhe ta marrin në mbrojtje vetveten dhe tjetrin. Arbnorës nuk i janë dashur 46 thupra të tjera. Dhe, përpos tezës së magjistraturës e të doktoratës, pasi ka kohë të gjatë që punon në Institut Albanologjik, është dashur të prodhojë më shumë dhe të mendojë më gjatë e më thuktë sesa deri më tash.

Ragip Mulaku

Studiuesi i parashtresave dhe i prapashtesave të gjuhës shqipe është bërë gjuhëtar duke bërë gabime gjuhësore që në tituj të punimeve të veta shkencore. Vërtetojini këto që po i them, po deshët, duke i marrë në dorë punimet e tij shkencore, tezën e magjistraturës dhe të doktoraturës. Emrin e tij s’e hasni askund në medie as duke dhënë prononcim për gjuhën në ditëlindjen e Kongresit të Shqipes, as duke dhënë sugjerime për shkrimin e shqipes. Për Akademi, mos të flasim, askund s’e gjen një artikull të tij kundrejt saj. Pse ky vushtrrias nuk shkroi asnjëherë keq për krijimtarinë e Kujtim Shalës ose, meqë e njeh më mirë gjuhën, për librat studimorë e gjuhësorë të Bardhit?! Si ta arsyetojmë heshtjen e deritashme të tij dhe reagimin e vonshëm po të tij. Hiç kurrqysh, kurrqysh hiç!

Rrustem Berisha

Rrustem Berisha herët ka shfaqur interesim për figurën e personifikimit në poezinë popullore shqipe, ndërkohë edhe për stilin dhe figuracionin në poezinë shqiptare. Ndër të tjera, edhe për këngët e dashurisë, edhe për këngët kreshnike. Por, jo edhe për plagjiaturën. Por, jo edhe për Akademinë. Por, jo edhe për problemet e mëdha dhe të shumta shqiptare. Nëse ky studiues ka qenë në dijeni se të gjithë ata akademikë kanë shkruar dobët, është dashur të na bëjë me dije dobësitë e tyre në veprat e tyre, siç i ka bërë, shumë herët për vepra të shumë shkrimtarëve, drejtori i tij i dikurshëm, Rexhep Qosja

Adem Zejnullahu

Herët ka magjistruar (më 1977), herët ka doktoruar (1986). Interesimin e parë e ka pasur për tregimin shqiptar në Jugosllavi, interesimin e dytë për krijimtarinë gojore dhe prozën e shkruar shqiptare në Jugosllavi. Për të qenë në linjë kombëtare, do të duhej të magjistronte dhe të doktoronte për ndonjë shkrimtar shqiptar të Rilindjes Kombëtare si, ta zëmë, ka magjistruar dhe “doktoruar” Rexhep Qosja për Asdrenin dhe për Naimin. Më vjen keq ta them, po Adem Zejnullahu do të bëhej akademik nëse shkencën do ta merrte më me përkushtim dhe të distancohej ose nga ata (të Akademisë), ose nga këta (të Institutit). Kaq vonë, i dalë në pension, nuk i ndihmon kujt asnjë gjë. Do të doja ta ftonin, më shumë hatri i titullit doktor, sërish në Pejë, në Festivalin Folklorik e ta bënin kryetar jurie. Po ashtu, do të doja më mos të merret me shkencë, por vetëm me poezi, sepse në këtë moshë ajo i ofron lehtësi dhe qetësi. Meqë ka shkruar poezi për pakon e Ahtisarit tash, i motivuar nga AShAK-u, mund të shkruajë ndonjë për Shalën dhe ndonjë tjetër për Bardhin

Bashkim Lajçi

Këtij pejani është dashur t’i shohë syri keq më mirë se kujtdo tjetër. I interesuar për të fshehta, për besime popullore dhe për misticizëm, është dashur të na tregojë më herët se gjithë të tjerët, se çfarë po ndodh në botë dhe çfarë pritet të ndodhë në Kosovë; se çfarë do të ndodhë edhe në Akademi, kush do të anëtarësohet dhe pse. Duke qenë parashikues i madh, i paparë dhe i parë, është dashur të reagojë i pari e jo tash, i mesit në listë dhe krejt në fund, kur reagimi është i panevojshëm. Nuk ka qenë e mjaftueshme për të, të marrë pjesë për pak minuta në ndonjë emision televiziv e të në flasë për syrin e keq ndër shqiptarë. Thjesht, meqë është i specializuar për syrin e keq, është dashur të shohë shumë më keq sesa shohim ne të tjerët, bre! Është apo nuk është kështu, më thoni ju të tjerët, më thuaj edhe ti, o Bashkim!?

Fadil Grajçevci

Është njeri i kulturuar, sa të duash dhe sa të thuash. Mbase vetëm më është dukur kështu! Ka shkruar pak dhe ka botuar edhe më pak sesa ka shkruar. Ka pasur tezë serioze në magjistraturë, edhe më serioze, por më të ngushtë, në doktoratë. Pas interesimit për temën e madhe “‘Historia e Skënderbeut’ e Marin Barletit dhe kultura shqiptare në shekullin XV”, ka nisur një temë më të ngushtë, për krijimtarinë letrare të Esad Mekulit dhe kritikën për të. Edhe në punimin e parë, edhe në të dytin, mentor e ka pasur profesor Qosjen, i cili, në ditarët e vet, natyrisht se e përmend. S’ka arritur të mendojë dhe të shprehet si Qosja, por Grajçevci e ka bërë një stil të vetin, të matshëm. E ka bërë, sikurse ka thënë Bufoni, një stil të vetin, po e quajmë ne: grajçevcian. Po Grajçevci, meqë s’i pëlqen dredhitë akademike dhe politike, nuk është dashur të lejojë të shkelet Rregullorja e Këshillit të Librit, as kriteret e konkursit për botim të librit dhe të revistës dhe për blerje të librit. A po të kujtohet, Grajçevc, se kriteret e konkursit publik të MKRS-së, Këshilli i Librit, pjesë e të cilit je, i ka shkelur?! Po pra, prandaj është dashur të reagosh dhe të kërcënosh edhe me dorëheqje të parevokueshme. Një herë matet fuqia dhe morali intelektual i intelektualit. Aty na je matur ti. Dhe, para se të ik, po të pyes: Pse, bre burrë, unë armik i Sali Bytyçit?! A duhet ta shkruajë këtë fjali një njeri që më njeh?! A duhet ta shprehë këtë mendim një njeri që më çmon?! Një njeri që më ka vlerësuar për mendim të drejtë dhe të drejtpërdrejtë e jo të thënë nëpër qoshe të objekteve me gjysmëzëri?! Fadil, mundësisht dil ndonjë ditë në Bibliotekë ose vij unë në Institut, kurdo që ke kohë të lirë, e sqaroma pak dhe të sqarohemi mirë për këtë punën e armikut.

Jahir Ahmeti

Nuk është tregtar flamujsh. Nuk është vetëm tregtar i librave, por është veteran i librit. Nuk është vetëm botues, por edhe vrojtues. Do të duhej të reagonte jo vetëm për anëtarësimet e reja në Akademi, por të shumë kohëve më parë, për të hershmet. Madje, do të duhej të reagonte ndaj Ministrisë së Arsimit të Shkencës dhe të Teknologjisë, e cila e ka shkatërruar tregun e librit dhe punën e tij dhe të gjithë librarëve, me vendimin për dhurimin falas të teksteve shkollore. Privatisht, për këtë rast, është ankuar njëqind herë. Publikisht, asnjëherë. Jahir Ahmeti do të duhej t’i shërbente si këshilltar për libër qoftë Arsim Bajramit, qoftë Kujtim Shalës. Edhe njëri edhe tjetri kanë çfarë të mësojnë prej tij për tregun e pafavorshëm të librit në Kosovë. Që ta dini, Jahiri është edhe magjistër i letërsisë. Është i specializuar për këngët për fëmijë dhe për të djepit, por jo edhe për reagime. Letra i ka ndenjur kohë të gjatë në dyqan. Për ta shkruar më mirë, është dashur ta lexojë dhjetëra herë e ta shkruajë një herë.

Shefkije Islamaj

Është jo një prej, por e vetmja që më shumë se secila studiuese tjetër në Kosovë e ka studiuar gjuhën shqipe dhe e cila më mirë se të tjerat din çfarë flet, por edhe din çfarë shkruan për gjuhën. Secilën temë që e ka trajtuar në librat e vet studimorë, qoftë edhe ata që i ka pasur për detyrë në fakultet, e ka trajtuar me përkushtim dhe seriozisht. Edhe kur i ka studiuar sinonimet dhe antonimet, edhe kur veçoritë leksiko-semantike dhe stilistike të veprave të Jakov Xoxës, edhe kur ka shkruar për pastërtinë e gjuhës shqipe, ka rrokur tema të mëdha, të cilave u është përgjigjur në mënyrë mjaft të mirë dhe mjaft shkencërisht. Natyrisht, ka mundur të prodhojë më shumë shkencë. Ka mundur të reagojë shumë më herët dhe shumë më rreptë ndaj temave që na kanë provokuar dhe shqetësuar qoftë nga fusha e kulturës, qoftë nga e arsimit dhe nga e shkencës. Kjo është ajo që e ka shkarkuar Ramadan Zejnullahun dhe s’i është trembur syri i kreshnikes. Respekt për të, pa fund. S’i ka shërbyer politikës, as askujt tjetër. Nuk e ka lejuar askënd të përdoret politikisht. Prandaj edhe është shkarkuar shpejt nga detyra që i është besuar nga Arsim Bajrami. Përballë të pamoralshëmve kushdo humbet, por në zemrat dhe kujtesën tonë kjo grua ka mbetur për burrëri dhe do të gëzojë çdoherë respekt.

Hakif Bajrami

Asnjë njeri që e kam pyetur kohë më parë për Hakif Bajramin, asnjëri nuk më ka folur mirë për të. Pak rëndësi ka titulli që ka sot, prof. dr. Hakif Bajrami sot nuk i bën nder asnjërit prej 46 të nënshkruarve. Asnjëherë nuk do ta lija emrin e tij në këtë “peticion”, sepse interesimi i tij, kur ka qenë student dhe kur është bërë magjistër dhe doktor shkence, fillimisht ka qenë për partinë komuniste në Jugosllavi, pastaj ka nisur, dikur vonë, të shkruajë edhe për shpërnguljen dhe për shfarosjen e shqiptarëve nga regjimi serb në Kosovë. Nëse është diferencuar nga shqiptarët dhe ka bashkëpunuar me masat e dhunshme serbe, siç është diferencuar Isa Mustafa nga rinia e Kosovës së cilës i printe, ende nuk e kam të qartë, por më duhet të verifikoj në mediet e asaj kohe veprimtarinë e tij politike dhe pikëpamjet e tij demografike.

Afërdita Dervishi

Çfarë ju thotë emri i kësaj? Përpos që na kujton perëndeshën Afërditë, asgjë tjetër. E ka botuar deri më tash, një “Bazë të informatikës”, për të zënë një vend pune. Ligjëron në Kolegjin “Biznesi” një lëndë me këtë titull libri. Shkruan për heronj dhe për dëshmorë, për kolonelë dhe për gjenerallejtënantë. Sa mirë që merret me të vdekshmit që nuk ia kthejnë fjalën, edhe kur ndonjëherë mund mos ta thotë të vërtetën për ta dhe luftën e tyre. Rrallëherë boton ndonjë recension për libër, me stilin e shkrimit të Emin Kabashit. Kushedi, ndoshta ka ambicie të bëhet edhe akademike! Por, me buzëqeshje dhe me harlisje, edhe nëse ia mësyn, kot bredh kah Instituti dhe, po kot bredh kah Akademia.

Emin Emini

Ish-drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ka reaguar as për vete kur e kanë shkarkuar nga detyra e udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar. Meqë nuk ka reaguar për vete, kujt i duhet mbështetja e tij dhe pse reagon për të tjerët?! Madje, edhe kur është bërë drejtor teatri, është thënë se e ka pasur shumë të lehtë të bëhet: vetëm ta kalojë sheshin këmbë dhe, nga objekti i Qeverisë, të zhvendoset e të futet në objektin e teatrit dhe t’ia nisë punës. Ai që e ka akuzuar është pjesë e kësaj liste. Nëse është zgjedhur politikisht, meqë e di se edhe anëtar akademie bëhesh duke pasur së pari mbështetjen politike, tek pastaj atë profesionale, emri i tij nuk është dashur të jetë në këtë listë.

Vlorë Berisha

Kush është kjo, o njerëz?! A është Vlorë Berisha-Fetaj?! Studiuesja e riteve të lindjes dhe të vdekjes në rrethinën e Deçanit? S’po flas se, mbase, mund të jetë tjetër Vlorë e bëhem horë!

Aziz Islamaj

Nipash, edhe ti po nënshkruhesh në këso letra, a?!

Nipash, ka disa vjet që je profesor universitar në Fakultet të Arteve të Bukura dhe ke gdhendur në gur dhe në dru bukuri dhe shëmti; gëzim dhe mërzi; krenari dhe vuajtje; lindje dhe vdekje. Çfarë jo tjetër që ta kanë parë sytë në realitet dhe ta ka pranuar mendja, ta kanë punuar duart dhe e ke bërë art.

Nipash, provo gdhend në gur, në dru, në qeramikë e në ndonjë material tjetër që del sa më bukur, njerëz të paparimshëm. Provo gdhende objektin e AShAK-ut dhe shprehe artistikisht atë që të tjerët e kanë shprehur në letrën që të gjendet emri. Por, mos e shpreh kaq dobët. Jo kaq naivisht. Nipash, mundësisht, pa ndonjë bisht.

Begzad Baliu

Begzad, tungjatjeta! Si je? A je mirë? A po lodhesh? A po shkruan? A po boton? A po ke çfarë të shkruash dhe çfarë të botosh? Begzad, e pashë librin e Bahtijarit dhe tëndin, “Rrapi shekullor: Akademik Idriz Ajeti”. Me këtë e keni nderuar Ajetin, “Eqremin e dytë të shqiptarëve”, në ditëlindjen e tij të 100. Paçi jetë të gjatë, shëndet të mirë dhe vullnetin e sotëm e ta shkruani një tjetër në 200-vjetorin e lindjes së tij. Por, Begzad, fatkeqësisht, Idrizi nuk t’i hapë dyert për t’u futur në Akademi, bre! Po të ishte emri yt në këtë letër dhe vetëm i atyre të tjerëve që kanë shprehur synime për t’u bërë “akademikë”, s’do të shkruaja asnjë fjalë. Për shumë arsye, s’po e shkruaj as tash, edhe pse do të duhej. Nganjëherë, për nder të disa njerëzve, duhet me i mbyll sytë, veshët dhe gojën. Hundët po i le të më marrin frymë, kurse gishtat ta ndërpresin fjalën këtu.

Shefki Sejdiu

Eh, profa! Qysh nuk u kujtua askush që, kur ta kremtojë ditëlindjen e Qosjes, të Kadaresë dhe të Demaçit, të tre këtyre 36-ve, një qiri ta ndezë dhe ta fikë edhe për profesorin Shefki. 81 vjet e shumë rrallë i përmendur. Për hartim të teksteve mësimore shkollore më shumë ka bashkëpunuar me mësues serbë sesa me shqiptarë. Ka bashkëpunuar sepse edhe i ka konvenuar, edhe s’ka pasur njohës të frëngjishtes të mirë si e sa ky dhe të përshtatshëm si ky. Një dekoratë, deri tash, është dashur t’i jepej nga dikush. Shpresoj se Fakulteti i Filologjisë t’ia ketë dhënë një orë dore. Po ashtu, po shpresoj se ky Shefki Sejdiu, ky që është nënshkruar në “peticion”, të jetë një tjetër Shefki.

Ag Apolloni (me ligjërim bisedor)

Ag, a je ma mirë? A jeni tanë mirë? A po shkruan ende për Bardh Rugovën? Po për Kujtim Shalën? Milazim Krasniqit, futja…, edhe Basri Çapriqit, po ashtu. Sali Bashotës ma…, yha…! Tash i ke ba sendet llugë, a?! Tash ata duhet me shkru për ty dhe, po mundën, edhe të të bëjnë akademik pa u bërë për vete. Në tryezat e AShAK-ut, a po mund merr pjesë?! Nime, a po i organizojnë najqysh, bre?! Aiii… ato tryeza se, krejt të bëra shkel e shko. Ani Mehmet Kraja aty, ky njeri krejtësisht i pashkollë! Edhe gjithkush po merr pjesë në to, se! Edhe gjithkush po referon aty, se! Ma mirë mos me i mbajt sesa me i mbajt! A po të ftojnë ata apo Bardhi me Linditën po ua kujtojnë dhe po ua çojnë emrin tënd?! Pse këtë respekt për ty këta të dy, athu?! Qysh bre, “meqë teksteve dhe njerëzve u mëshon sakicë”, nuk i re edhe këtij teksti po e le me u botu kaq dobët?! Më ke dëshpëru, a?! A e pe se letrën e kishin nënshkru edhe Emin Emini, Begzad Baliu, Abdyl Kadolli, Adem Zaplluzha, Emin Kabashi, Arben Hoxha, Shyqyri Galica, Sadri Ramabaja, Xhevat Bislimi, Fatmir Arifi, Lulzim Lajçi? A po ta pretë mendja pse po t’i përmend?! Eh, mirë!

Uuuu… a të kujtohet more se Mehmet Kraja ka pas shkru keq për ulurimën tane e ti, m’u ke ba njëfarë lloj Krishti. Më ke habit me tanë ata sy e me atë çehre të ranë në libër, e s’iu turre Mehmetit hiç! Me pas grith bre pak, mirë a kanë! Kur të gjuan Meha me gurë, mos e gjuaj ma më bukë, se nuk ka kuptim. Armikut ktheja dy herë më shumë, kështu është një parim! Po munde, mbyte krejt! Sjelljet e Krishtit hiç bre nuk i ke pasur në qejf, as kurrë dert ba nuk e ke kalvarin dhe fatin e tij! Madje, nuk dua të të shoh më kështu si qengj! Dass must nicht mehr passieren. Es ist in ordnung?

Xhemajl Avdyli (me ligjërim bisedor)

Qy, Xhema! Po vallahi, Xhema vetë i dyti! Botues, edhe ky, si unë por, jo i njëjtë me mua. Xhemë, tash kriteret “Symbol”-i t’i përmbushë, por nuk po të rrjedhë nga MKRS-ja shumë qumësht. Tung, Xhemë! Shihemi të tjera herë!

Orjela Stafasani (me ligjërim bisedor)

Ta ndërprenë kontratën në Gazetari, a?! Çka me ba! Shnosh me kanë! Po valla, i gjalli lyp me hangër, lyp edhe me pi. Por, ndalu mendo pak, se njerëzit po vdesin krejt e nuk po e ban kush llaf! Megjithatë, ngomni mu: bëni zhurmë pak më shumë dhe nënshkruhuni edhe në ndonjë “peticion” tjetër, edhe kërcënojini pak më shumë Bardhin dhe Linditën se, qare bre nuk kanë pa lëshu pe! Nëse jo në këtë mot, bëhet diçka më mirë në tjetrin mot.

Basri Çapriqi

Profesor i nderuar, më ke mahnitur. Jam mësuar të treve, ndonjëherë edhe të katërve, t’ju shoh bashkë: Ty, Milazimin, Saliun dhe Ibrahimin. Pse të paskan lënë vetë, se?! Shoh se e paske shkrehur bërjen akademik. E sheh se ata kanë shpresa më të mëdha se ti: se një ditë do të bëhen dhe do të bëjnë vota të mjaftueshme atje. Por, ma thotë mendja të të them, se këtë shëtitje nuk është dashur ta bësh pa ta. Delen e ndarë nga tufa, gjithmonë e ka hëngër ujku. Pse t’i futesh ujkut në gojë pa nevojë? Si nuk u erdh keq atyre të të lënë vetë, se?! Shoku i mirë njihet dhe vërtetohet në ditë të vështira. Ditë më të rëndë dhe vendim më të madh e më serioz, kurrë në jetë marrë nuk ke. Të lumtë që, më në fund, bëre diçka pa ta por, jo me kokën tënde!

Zymer Neziri

Po të ishte emri i tij në këtë letër dhe i pak të tjerëve do të kishte arsye t’u reagohej anëtarëve të rinj dhe AShAK-ut. Zymer Neziri e ka ngrehur zërin në kohën më të vështirë, kur fasulja hahej nga një kokërr dhe, po për shkak të parimeve të veta e për reagim ndaj pushtetit të egër serb në Kosovë dhe masave të rrepta të tij, është përjashtuar nga puna. Është përpjekur atëkohë ish-drejtori i Institutit Albanologjik, Rexhep Qosja, me udhëheqësit e seksioneve të Institutit dhe me punonjësit, ta mbrojë dhe ta mbajë në punë, por Zymer Neziri vetëm hijen e ka pasur aty. Thjesht, e kanë hequr nga puna sepse është konsideruar i papërshtatshëm politikisht sikurse konsiderohem unë sot për disa punonjës shkencorë të Institutit Albanologjik se, kinse, po i dal në mbrojtje AShAK-ut, të cilën nuk ka dreq e as zot që e mbron për punën që ka bërë dhe që po bën.

Çfarë të them tjetër për profesorin Zymer?!

Shumëçka mund të thuhet dhe të shkruhet për të, për veprimtarinë e pasur të tij, për punën e tij të madhe dhe për angazhimin e pashoq për çështje kombëtare. Ky studiues, kudo në Ballkan, në konferenca të ndryshme shkencore, ka mbrojtur identitetin tonë kombëtar. Edhe kur ka ligjëruar për kreshnikët tanë, për Mujin e Halilin, kurrë nuk i ka lënë të tjerët t’i bëjnë të vetët sepse, sa ka dëshmi dhe gojëdhëna, kanë qenë të popullit tonë.

Zake Prelvukaj

Kjo ia ka hequr perden marrisë. Por, neve ende na vjen marre t’i shohim pikturat e saj nudo. Një prej tyre dhe të sajat, për librin tim të pabotuar ende, me titull “Vrima e artë”, e kam zgjedhur edhe unë. Në të Zakja, me gjilpërë, gjuan midis vrimës së femrës së shtrirë, së cilës ia ka zgjeruar këmbët e veç sa nuk ia shqyen, kurse gojën ia hap fort sa, edhe pse e vdekur (pikturë), duket se bërtet fort dhe afshon thekshëm, po si ndonjë kurvë! Por edhe kjo krijuese, sikurse profesori tjetër në Fakultetin e Arteve, Aziz Islamaj, mund të protestojë nëpërmjet artit ndaj AShAK-ut dhe ndaj të gjitha atyre që shprehen në letrën që ka nënshkruar e që, nuk thuhet kurrgjë hiç. Me ndonjë vepër arti, e vetme kundrejt Akademisë, kjo do të shprehte protestë më të madhe sesa ka shprehur me 46 intelektualë.

Abdyl Kadolli

Vonë, bre Abdyl, vonë! Shumë vonë. Është dashur të reagosh më herët. Ka ikur treni i 12.00-ve. Kape tash, po munde, të 13.00-ve.

Dibran Fylli

Emri i Dibran Fyllit mund të arsyetohet vetëm nëse është thirrur të vijë nga Açareva ta marrë këtë letër në Prishtinë dhe ta bëjë skenar për ndonjë shfaqje teatrore dhe për këtë publik: për këta 46 veta. Por, ky tekst nuk është monodramë. Nuk mund ta luajë vetëm Dibrani dhe nuk mund ta përcjellë vetëm me fyell. Ky tekst është tragjikomik. Ky tekst është dashur të ndalohej të shfaqej në dhe për publik.

Xhemil Bytyçi

Xhemil Bytyçi, kështu si është në fund, edhe mund të jetë i fundit që i është bërë ftesë për ta nënshkruar këtë letër. Ky është mësuar të shkruajë poezi, jo të japë nënshkrime në reagime dhe të reagojë për kushedi çfarë. Këta të lirizmit janë të butë dhe janë, kryesisht, të urtë. Xhemil Bytyçi, në shenjë proteste dhe revolte, në vend se t’i shikojë yjet si bëjnë rreze dhe ta shohë zjarrin e harresës dhe ta dëgjojë shushurimën e dashurisë, është dashur t’i mëshojë Akademisë, anëtarëve të brendshëm dhe të jashtëm, me poezi dhe me zhanre të tjera të letërsisë dhe të gazetarisë.

Adem Zaplluzha

Mos e ka keqkuptuar Ademi “Guinness”-in, meqë vrapon pas tij?

Kujtojani dikush, se ky libër i rekordeve nuk e pranon një rast të tillë.

Aq kujdes i kushton një libri Ademi, saqë autorin ndonjëherë e shkruan aturot. Librat e tij kanë edhe redaktor letrar, edhe recensent, edhe korrektor, edhe parathënës e prapathënës. Dmth., para se të botohen, librat e tij, pos Ademit që i shkruan dhe që i lexon, i lexojnë edhe disa profesionistë të tjerë. Mund t’ju duket se po bëj shaka, por e kam pikë përnjëmend. Nuk ka shkrimtar, askund në botë, që shkruan dhe boton sa Adem Zaplluzha. Me këtë “specie” në zhdukje duhet të merren mediet dhe kushdo tjetër që dëshiron të dijë si ta shkruajë një libër dhe sa shpejt e shkruan, se a shkruajnë shkrimtarët vetëm kur kanë frymëzim, apo shkruajnë si punonjësit e administratës civile që duhet të dalin në punë të punojnë diçka.

Ju mjaftojnë këto fakte për të, që të merrni vesh pse Adem Zaplluzha është “specie” në zhdukje: në vitin 2012 ka shkruar dhe botuar 36 vepra (dy copa në muaj); në vitin 2010, 19 copë, po kaq edhe në vitin 2016. Në 2017-n, nga janari deri tash në gjysmë të shkurtit, ka botuar 10 vepra. Dhjetori është larg. Sivjet, nëse e ka shëndetin e mirë, për nga sasia, nëse bëjmë krahasime me vitet paraprake, shohim se do t’ia kalojë vitit më prodhimtar të tij, 2012-s. Dmth., do ta thyejë rekordin personal, sepse për më pak se një javë e ka botuar nga një libër. Deri tash ky prizrenas, që tashmë ka mbushur 74 vjet, i ka shkruar dhe botuar mbi 200 vepra.

Afrim Mustafa

Nëse është autori i librit “Bardhësitë e atdheut”, të cilin vazhdimisht po e quan enciklopedi, s’po shkruaj më gjatë për të sepse duket se ka probleme serioze të klasifikimit dhe të vlerësimit të librave. Kjo bibliografi për dëshmorë mbetet e tillë, pra nuk bëhet enciklopedi.

Rifat Blaku

Profesori i demografisë dhe i ekonomisë, Rifat Blaku, ka reaguar herë pas here ndaj AShAK-ut. Ka reaguar për tryezat që ka organizuar AShAK-u, edhe për referuesit që i ka ftuar për të ligjëruar për ekonominë gjeografike. Ka reaguar kur ka qenë e domosdoshme, edhe tash që demarkacionin na e kanë vënë kusht për liberalizim të vizave. Ka reaguar ndaj Hivzi Islamit, i cili, meqë po shkurtohet vetë, po na e shkurton edhe territorin, sepse tjetër territor ka në librin e vet e tjetër tash me letrat e Isa Mustafës e të Hashim Thaçit. Profesori e di se Hivzi Islami dhe Anton Berisha, librat që po i botojnë tash, po i botojnë me cilësi më të mirë të letrës sesa që janë botuar monografitë për marshall Titon. Por, profesori nuk po e di se, me disa prej këtyre që ka reaguar, nuk dëmtohet aspak më pak Akademia sesa ka mundur se mund dhe do t’i bëjë dëm nëse tashmë ka ngrehur ose do të ngrehë padi ndaj Islamit dhe Berishës.

Hasan Dulaj

Hasana ka shumë. Hasan Dulaj janë disa. Ka Hasan që ka magjistruar për ekonomi, për juridik, për mjekësi, për bujqësi e ndonjë Hasan tjetër që ka kryer ndonjë zanat për teneqexhi. Është edhe një Hasan Dulaj që ka magjistruar më 1987 në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, për novelat e Anton Santorit. Kurrë herë të tjera emrin e tij nuk e kam dëgjuar, as për të mirë, as për të keq. Me një fjalë, duket se nuk ka qenë as hairi i turkut, as sherri i shkaut. Megjithatë, Hasani duhet inkurajuar për bashkim në këtë mendim kolektiv.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme