Minutat, sekondat madje edhe milisekondat marrin një vlerë të madhe sidomos kur po garon për të fituar një çmim në Lojrat Olimpike.
Notarja amerikane Katie Ledecky, për vetëm 6/1000 e sekondës diferencë nga notarja tjetër, arriti të fitonte finalen në 200 metër stil i lirë në Lojrat Olimpike, të Martën.
“E pashë që isha në krye dhe nuk kisha ndërmend ta lija atë vend megjithëse e ndjeja shumë pranë notaren tjetër” thotë notarja 19 vjeçare Ledecky.
Matje të tilla kaq precize janë ato për të cilat CEO i Omega Timing, Alain Zobrist thotë se jeton. Kronometrat kohorë që ata kanë ndërtuar janë përdorur gjithmonë në Lojrat Olimpike që prej vitit 1932.
Por tashmë teknologjia e tyre ka përparuar mjaft thotë Zobrist. Më përpara ne përdornim një kamera që realizonte 1000 shkrepje në sekondë për të përcaktuar fituesin e garës, ndërsa tani kamera mund të realizojë 2000 shkrepje në sekondë.
“Ata vendosin gjithashtu edhe ndjesorë shtypjeje në vendin nga ku nisen notarët, kështu që juria do ta dijë nëse një notar është hedhur para kohës.
Omega ofron gjithashtu edhe një sistem detektimi me lazer për sportin e hedhjes së shigjetës. Zobris thotë se sistemi skanon të gjithë mjedisin përreth goditjes kështu që vendi i goditjes së shigjetës dihet me saktësi shumë të lartë.
Ndërsa për golfin, Omega ka ndërtuar një radar të vogël që jep informacione mbi shpejtësinë e topit, kahun e rrotullimit dhe distancë. Ai i llogarit këto të gjitha në një të mijtën e sekondës dhe i paraqet ato në tabelën e afishimit të rezultateve të Lojrave në Rio.
Gjithashtu në lojrat e notit, Omega ka instaluar ndjesorë në vendin që notarët takojnë sapo mbarojnë garën duke e shënuar kështu vetë kohëzgjatjen e garës së tyre.