Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Donis Avdijaj, para tri javësh u prezantua me bujë të madhe te skuadra e Superligës së Turqisë, Trabzonspor. U prezantua në stilin “një lojtar plot talent, por edhe i padisiplinuar në të shkuarën, e që tash po kërkon rilindjen”.
Por vetëm tri javë më vonë, Bordi i klubit ka marrë vendim për ta përcjellë Avdijajn, pasi ka thyer rregulloren disiplinore.
Mediumet turke kanë njoftuar të hënën se klubi ia ka tërhequr vërejtjen Avdijajt, i cili nuk ka marrë leje për të dalë në një lokal nate në orët e vona për t’u argëtuar. Avdijaj është njëri prej lojtarëve më të popullarizuar të ekipit turk, pasi prej tij pritet shumë në të ardhmen.
Në fakt, ishte kapiteni i Trabzonsporit, portugezi Joao Pereira, që ka zbuluar daljen e Avdijajt dhe ka kërkuar nga klubi që sulmuesit kosovar t’ia mundësojë vendosjen në ndonjë familje për t’u bërë më i disiplinuar dhe ku do të ishte nën kontroll të vazhdueshëm.