Derisa vija ofensive e Milanit ka marrë meritat më të mëdha, portieri i ri Gianluigi Donnarumma ka qenë në zemër të suksesit të skuadrës së fundit.
Donnarumma ka qenë i padiskutueshëm te Milani që kur debutoi në vitin 2015, duke luajtur më tepër se 150 ndeshje për klubin. Dhe të hënën ai ka mbushur 20 vjet.
“Donnarumma është i jashtëzakonshëm, unë ia kam uruar atij ditëlindjen më herët”, ka thënë Adriano Galliani, që ishte shef ekzekutiv i Milanit kur Donnarumma debutoi në skuadrën e parë. “Të mendosh se ai ka luajtur më tepër se 150 ndeshje për Milanin dhe është vetëm 20-vjeçar, është e jashtëzakonshme. Por, ne e kemi parë kualitetin e Gigit, qëkur e morëm atë. Ai gjithmonë ka luajtur me bashkëlojtarë më të vjetër, është fenomen”.
Donnarumma pati një paraqitje tjetër të fuqishme në fitoren 3:0 të premten ndaj Empolit. Ajo ndeshje ishte e teta me radhë pa humbje për Milanin – në kupë dhe ligë të Italisë – dhe skuadrën e ngjiti në pozitën e katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve.