Dorëheqja e kryeministrit nuk nënkupton zgjedhjet

Prishtinë | 24 Kor 2019 | 16:53 | Nga Flamur Hyseni

Mandatin politik ekzekutiv (Qeverinë) nuk duhet me pa si diçka profetike. Ne kemi demokraci parlamentare. Qeveria (mandati qeveritar) është punëmarrës nga Kuvendi i Republikës. Prandaj, Kuvendi mund ta votojë një mandatar të ri për ta formuar Qeverinë në afate kushtetuese dhe të vazhdojë puna. Zgjidhja më e lehtë është me shku në zgjedhje të parakohshme

Në aspekt juridik, nëse ka shumicë parlamentare aktive nga koalicioni qeverisës, mund të mandatohet kandidati i ri, për të formuar Qeverinë. Që do të thotë nuk është e domosdoshme të shpallen zgjedhjet e parakohshme. Në aspekt politik, gjithçka është e mundur. Përcaktimi i momentumit politik se, Kuvendi a ka legjitimitet politik, për shkak të rrethanave të krijuara varet nga vullneti politik i partive politike parlamentare, se a e vlerësojnë vazhdimin e mandatit, apo shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

Në opinion ka zëra se Qeveria teknike mundet me qenë zgjidhja. Kjo nuk është e nevojshme, sepse kjo Qeveri është në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, e cila sipas Kushtetutës ka mundësi të zgjidhet në ditët në vijim dhe ta vazhdojë mandatin kushtetues deri në fund.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës (2008), neni 95, paragrafi 5, e përcakton saktë se si duhet vepruar, duke e theksuar shprehimisht se, “Nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për ta formuar Qeverinë”.

Kjo nuk është hera e parë që po ndodh një dorëheqje e tillë. Edhe në periudhën e qeverisjes së përkohshme, kur këto institucione kanë qenë të themeluara si IPVQ – Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes, në bazë të Kornizës Kushtetuese (2001), Kosova e ka pas këtë përvojë gjatë mandatit 2004-2007, ku brenda këtij mandati kanë qenë tre kryeministra (Ramush Haradinaj, Bajram Kosumi dhe Agim Çeku).

Pra, nuk duhet të mendohet menjëherë për zgjedhjet. Sepse edhe në aspektin ekonomik dhe zhvillimor Kosova nuk e ka luksin të organizojë zgjedhje pas 20 muajve. Së pari, duhet të provojë t’iu shmanget zgjedhjeve, sepse nuk janë çdo herë zgjidhje e duhur. Për faktin se demokracia jonë ende nuk është në shkallën e pjekurisë së duhur ku mund të bëjë zgjedhje për të ofruar zgjidhjen e duhur. Momentalisht, partitë politike janë në fazë të papërshtatshme. Prandaj, edhe nëse partitë politike do të përcaktohen për zgjedhje, atëherë me siguri se kualiteti në përbërjen e ardhshme parlamentare nuk do të jetë më i mirë se që është aktualisht.

Zgjedhjet kushtojnë disa miliona euro. Plus, pasivizimi i jetës politike – institucionale me së paku 6 muaj. Kjo na kushton shumë si shoqëri dhe si shtet. Në mesin e qarqeve intelektuale dhe profesionale ka përmendje të shembujve dhe praktikave evropiane, si për shembull përvojat me rëniet e shpeshta të qeverive në Itali. Ky shembull nuk i duhet Kosovës. Varet se si e shohim shtetin Italian. Atje ndodh rënia e shpeshtë e qeverive, por demokracia parlamentare ka pjekuri të lartë politike dhe shoqëria nuk destabilizohet. Ne ende nuk kemi as ligj për Qeverinë. Ne ende nuk e dimë saktë se çka ka të drejtë dhe çka nuk ka të drejtë Qeveria kur është në dorëheqje.

Dihet se partitë opozitare janë të interesuara për zgjedhje që nga minuta e parë kur Qeveria e merr mandatin për të qeverisur. Kjo është legjitime. Ne duhet të krijojmë kulturë politike që të respektojmë mandatin e plotë kushtetues. Pra, ne kemi krijuar praktika, ku pozitën e kryeministrit e kemi bërë shumë më të fuqishme dhe të rëndësishme sesa mandatin e Kuvendit që votohet direkt nga populli. Madje, në zgjedhjet e fundit partitë politike kanë dalë edhe me kandidat për kryeministër, edhe pse votuesi nuk e ka pasur fare mundësinë për të votuar kandidatin për kryeministër. Kryeministri është që të punojë, të udhëheqë Qeverinë, t’i zbatojë ligjet dhe të propozojë projektligje në Kuvend. Kosova është demokraci parlamentare.

Arsyetimet se, ne nuk mundemi ashtu, ne nuk mundemi se jemi larg atyre standardeve kushtetuese dhe qeverisëse, nuk janë të mjaftueshme. Ne nuk mund ta krijojmë këtë kulturë politike pa ia fillu me kriju. Pra, duhet me fillu me provu dhe me shfrytëzu një përvojë të mëhershme (2004 – 2007), se nuk mund të krijojmë praktika sa herë që kryeministri të japë dorëheqje të shkojmë në zgjedhje. Kryeministri me vetë faktin që drejton degën ekzekutive të pushtetit është në pozicion të përballjes me dinamika dhe presione politike të çfarëdo qofshin ato. Ai ka garanci kushtetuese, por edhe e ka të drejtën e ofrimit dhe dhënies së dorëheqjes sa herë që e vlerëson se duhet të ndodhë një akt i tillë. Aq më pak kur te ne dhe në përgjithësi në demokracitë ballkanike dorëheqjet zakonisht vijnë në shprehje si rezultat i ndikimit të disa faktorëve, që aspak nuk ndërlidhen me atë që do të ishte esenciale dhe që e bën një dorëheqje vërtet të arsyeshme, si p.sh., nuk jemi mësuar të dëgjojmë për dorëheqje nën arsyen se nuk po arrij ta përmbush planin qeverisës apo zhvillimor; ta jetësoj sundimin e ligjit; nivelin e respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, etj.

Mandatin politik ekzekutiv (Qeverinë) nuk duhet me pa si diçka profetike. Ne kemi demokraci parlamentare. Qeveria (mandati qeveritar) është punëmarrës nga Kuvendi i Republikës. Prandaj, Kuvendi mund ta votojë një mandatar të ri për ta formuar Qeverinë në afate kushtetuese dhe të vazhdojë puna. Zgjidhja më e lehtë është me shku në zgjedhje të parakohshme.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës (2008) nuk e njeh institutin e dorëheqjes së kryeministrit si të drejtë me i shpall zgjedhjet, por përkundrazi jep mundësi për mos me shku në zgjedhje të parakohshme. Presidentin e Republikës, për situatën aktuale e obligon Kushtetuta e Republikës së Kosovës (2008), neni 95, paragrafi 5, të veprojë njëjtë si në fazën fillestare, kur kryeministri është mandatuar për ta formuar Qeverinë. Pra, pas kësaj situate të krijuar me dorëheqjen e kryeministrit, janë disa procedura për të ardhur deri te shpallja e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas Kushtetutës, kusht me u shpall zgjedhjet e parakohshme është se duhet të shpërndahet Kuvendi dhe duhet të ndodhin këto tri veprime: së pari, nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga presidenti i Republikës së Kosovës, nuk mund të formohet Qeveria, së dyti, nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të presidentit të Republikës së Kosovës dhe së treti, nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Republikës së Kosovës (Kushtetuta e Republikës së Kosovës, 2008, neni 82, paragrafi 1).

Situata aktuale pas dorëheqjes së kryeministrit imponon dy mundësi kushtetuese: e para, presidenti duhet t’i konsultojë partitë politike dhe koalicionin që ka shumicën për ta mandatuar kandidatin për të formuar Qeverinë dhe mundësia e dytë, partitë politike në pozitë dhe opozitë duhet ta arrijnë një marrëveshje politike me arrit numrin e kërkuar sipas Kushtetutës të shumicës së votave prej 2/3 për ta shpërndarë Kuvendin dhe me kriju mundësinë me i shpall zgjedhjet e parakohshme nga presidenti i Republikës sipas afateve kushtetuese.

(Autori është doktor i shkencave juridike nga fusha e së drejtës kushtetuese dhe administrative. Është mësimdhënës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”)

Të ngjashme