Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dorëzoi sot në Kuvendin e Kosovës kërkesën për interpelancë lidhur me Telekomin dhe Postën e Kosovës.
Në deklarimin e tij në Kuvendin e Kosovës, kërkuesi i kësaj interpelance, Kryetari dhe deputeti Albin Kurti pati paraqitur problemet e thella që i kanë krijuar këtyre dy ndërmarrjeve ndërhyrjet konstante te grupeve financiare dhe pushtetore por po ashtu paraqiti edhe rruget e zgjidhjes që ne i propozojmë.
Në vijim të këtij qëndrimi është dhe kërkesa e sotme për Interpelancë me Kryeministrin e Kosovës.
Telekomi i Kosovës aktualisht është në krizë, por si biznes. Situata e këtillë financiare nuk është rastësi apo pasojë e rrethanave jashtë përgjegjësisë së Qeverive të Kosovës dhe vendimeve të marra prej vitit 2007 e deri më sot. Z-Mobile si ide, si projekt dhe si manipulim përveç fitimit të pronarëve të tyre shërben si nismë për rrënimin e Telekomit. Çfarë s’u arrit dikur me AXOS-in u përmbush me arbitrazhin dhe gjobën mbi Telekomin nga një marrëveshje e paligjshme dhe mafioze me Z-Mobile. Ndërmarrjen publike Telekomi i Kosovës nga e cila buxheti do të kishte të siguruar veçse fitim po e kthejnë në ndërmarrjen të cilës ia kanë bërë arkitekturën e krizës financiare që të kenë alibinë e përkryer për t’ia justifikuar publikut zgjidhjen me privatizim/shitje. Mbipunësimet kryesisht në administratë, jo në staf teknik profesional, janë klientelizëm dhe shërbim për rrjetin e partive në pushtet. Por në kuptimin e qeverisjes së ndërmarrjes publike ato janë porosia e qartë e rrënimit të afarizmit të saj. Ka pasur dhe ka plan për ta dobësuar dhe madje diskretituar TK deri në pikën që publiku i gjerë me vetëdëshirë të mbështesë shitjen e saj.
Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) si pasuri, me infrastrukturë postare e telekomunikuese dhe me gjithçka tjetër që posedon, është ashtu dhe aty si ka qenë gjithmonë dhe mbetet ndër pasuritë më të vlefshme që ka vendi ynë dhe me rëndësi jetike për shtetin tonë.
Shkaktarët që e sollën Telekomin dhe Postën në këtë gjendje duhet të përballen e do të përballen me drejtësinë. Sot duket e vakët kjo mundësi për shkak të sistemit të drejtësisë që e ka Kosova. Por gjurmët e krimit në PTK nuk mund të fshihen as të humbin. Dhe, as emrat që i kanë shkaktuar.
Synimi është të propozojmë zgjidhje të kësaj situate sepse Telekomi si biznes mund dhe duhet patjetër të shpëtohet. PTK si biznes është para falimentimit dhe rrezikohet funksionimi i shërbimeve postare dhe telekomunikuese në vend.
Kuvendi i Kosovës është i detyruar të ndërhyjë për të siguruar ofrimin e pandërprerë të këtyre shërbimeve dhe të propozojë një rezolutë pas diskutimit në Kuvend.