Dorëzohet padi ndaj MKRS-së dhe OShP-së, shkak tenderi 3 milionësh për Kompleksin “Adem Jashari”

Prishtinë | 16 Shk 2024 | 11:18 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Tenderi tre milionësh për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, ka përfunduar në Gjykatën Komerciale, raporton Ekonomia Online.

Pas dorëzimit të padisë dhe kërkesës për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit të OSHP-së, avokati i Institutit të Shkencës dhe Teknologjisë “INSI” SH.P.K., Qëndrim Arifi, paraqiti “shkeljet” e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit, lidhur me tenderin: “Zhvillimi i master-planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në vlerë tre milionë euro.

Arifi, ka thënë se faza e vlerësimit të ofertave është përcjellur me parregullsi e me ndikime brutale nga pala e tretë.

Ai ka thënë se Instituti nuk është pajtuar me vlerësimin për dy arsye kryesore, e para sipas tij, është se dosja e këtij tenderi e ka saktësuar në mënyrë të qartë se “pjesa ideore e projektit dorëzohet në mënyrë fizike, ndërsa pjesa tjetër në mënyrë elektronike”, sipas tij, i vetmi operator ekonomik që ka dorëzuar në këto dy forma është Instituti për Shkencë dhe Teknologji.

“Më lejoni të shpreh shqetësimin e thellë për faktin që ky tender që nga fillimet e tij e posaçërisht në fazën e vlerësimit të tenderëve por edhe në fazën e shqyrtimit të ankesës “INIS” në Organin Shqyrtues të Prokurorimit është përcjell me ndikime, madje ndikime brutale nga palët e treta, respektivisht palët e interesit në këtë procedurë. Andaj pasi janë publikuar rezultatet për pjesën e Planit Ideorë “INIS” aspak nuk është pajtuar me vlerësimi që ju ka bërë. Instituti nuk është pajtuar me vlerësimin për dy arsye kryesore. E para, dosja e këtij tenderi e ka saktësuar në mënyrë të qartë ‘pjesa ideore e projektit dorëzohet në mënyrë fizike, ndërsa pjesa tjetër në mënyrë elektronike. I vetmi operator ekonomik që ka dorëzuar në këto dy forma është Instituti për Shkencë dhe Teknologji. Dy të tjerët e kanë dorëzuar vetëm fizikisht”, ka thënë ai.

Shkelja e dytë, sipas avokatit ka qenë se njëra nga kompanitë e ka zbuluar identitetin e saj, gjatë ofertimit. Sipas tij, në fazën e ofertimit kompanitë do duhej të ofertonin me shifra, pa emër.

“Shkelja e dytë ka të bëjë me njërën nga kompanitë e cila e zbulon identitetin e saj. Tenderët kryesisht të projektimit, zakonisht kur shkojnë në ofertë fizike, duhet të jenë anonim, me shifra. Njëra kompani i hap të dhënat, ne sot e dijmë emrin dhe mbiemrin e asaj kompanie, të atyre operatorëve ekonomikë”, ka thënë ai.

Në fund, avokati Qëndrim Arifi ka bërë të ditur se Organi Shqyrtues i Prokurimit ka refuzuar ankesën e tyre dhe ka konfiskuar taksën e ankesës, në vlerë prej 5 mijë euro.

Të ngjashme