Pengesa e parë që ylli i Watfordit, Abdoulaye Doucoure, e pati drejt rrugës që të bëhet futbollist profesionist, ishte shumë elementare.
Les Mureaux, qyteti në veri-perëndim të Parisit ku është rritur ai, nuk kishte një fushë të denjë për të luajtur futboll, shkruan “The Sun”, transmeton “Koha Ditore”.
“Kur isha 11 apo 12-vjeç, dhjetë nga ne u desh të bënim një projekt në shkollë. I imi ishte për ndërtimin e një fushe të re të futbollit në qytet. Puna ime u dërgua para dhe iu paraqit kryebashkiakut. Pas kësaj, bënë një infrastrukturë të mirë, një fushë me bari sintetik, më të mirë për mot dhe çdo gjë. Jam shumë krenar që sa herë që kthehem shoh fushën dhe të rinjtë duke luajtur në të. Ata thonë: ‘Është Abdoulaye Doucoure. Një shembull i mirë për ne. Ne duam të bëjmë atë që ka bërë ai’“, rrëfen mesfushori.
Periferitë e Parisit kanë prodhuar një numër të yjeve të futbollit, përfshirë edhe Paul Pogban, ish-bashkëlojtarin e Doucoures te skuadra e të rinjve të Francës.
Doucoure, fëmija i dytë më i ri nga tetë fëmijë në familjen e tij nga Mali, thotë: “Në të kaluarën Les Mureaux ishte vend i ndjeshëm me policinë dhe çdo gjë. Ka dy rrugë kur je në një vend të tillë, të luash futboll apo ndonjë sport tjetër, apo të futesh në telashe. Unë njoh shumë njerëz që janë në burg tash apo në telashe të mëdha. Familja imë më dha një edukim të mirë. Gjithmonë ishin prapa nesh për shkollë dhe sport. Unë kam dashur të jem i suksesshëm, të ndihmoj prindërit e mi, vëllezërit dhe familjen time. Unë kisha atë forcë në vete” .