Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që i shpalli fajtorë katër deputetët e VV-së, Albin Kurti, Donika Kadaj, Albulena Haxhiu e Faton Topalli, për hedhjen e gazit lotsjellës.
Në profilin e saj në “Facebook”, Nagavci shkruan se sot nuk u dënuan vetëm deputetët e VV-së, por secili prej nesh. Madje, sipas saj u cenua shtetësia dhe u minua sistemi i drejtësisë.
“Sot nuk u dënuan vetëm deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! sot u dënuam secili prej nesh, sot u dënua populli i Kosovës, sot u dënua Republika e Kosovës, u cënua shtetësia,u minua edhe një herë sistemi i drejtësisë”.
“Ishin dyqind e pesë mijë qytetarë që shprehën kundërshtimin e tyre në peticionin që paraqiste mospajtimin me marrëveshjet që cenonin qenësinë e republikës, pra logjikisht pëlqimin me qëndrimin e deputetëve tanë në mbrojtje të republikës. Veprimi i tyre është arsyetuar dhe legjitimuar dhe nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ajo.
Ajo më tej ka akuzuar gjyqtarin e rastit Kalludra për vendimin e marrë.
“Por, gjyqtari Beqir Kalludra, zgjodhi të suprimonte edhe vullnetin e qytetarëve, edhe aktgjykimi e kushtetueses edhe obligimin e kushtetues të deputetëve për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit teritorial. Urtësia jonë popullore për të tillët si ky gjyqtar e ka shprehjen E ka ngrënë turpin me bukë, andaj dhe s’mund të presim të kenë ndjenjë faji e përgjegjësie”, ka shkruar Nagavci.