Ish-analisti ushtarak i kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq, aktualisht në shërbim të Vuçiqit, Millovan Drecun, ka pretenduar se situata në Kosovë është relativisht e qetë, falë edhe faktit se “populli serb reagon shumë i përmbajtur dhe se protestat janë paqësore”, transmeton televizioni serb RTS.
Drecun ka thënë se mund të pajtohet me deklaratën e komandantit të KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, se Kosova ka qenë më e qetë ditëve të fundit, por se situata është ende e tensionuar.
Megjithatë, ai thotë, është e pamundur të pajtohet me çështjen se “cili është shkaku i një gjendjeje të tillë”.
“Natyrisht, kjo është sjellje e njëanshme e Prishtinës dhe qëllimi i tyre përfundimtar është vendosja e plotë jo vetëm administrative, por edhe policore-ushtarake, e kontrollit mbi veriun e Kosovës. Pjesë përbërëse e kësaj është “keqtrajtimi dhe terrorizimi i tmerrshëm i populli serb”, dhe situata është relativisht paqësore vetëm falë faktit se populli serb “reagon shumë i përmbajtur, se protestat janë paqësore”, përndryshe, sa i përket Kurtit, situata nuk është e qetë”, ka pretenduar Drecuni.
Ai ka thënë se një numër i madh i pjesëtarëve të njësive speciale “parapolicore” janë ende të pranishëm në veri të Kosovës dhe se “keqtrajtimi i serbëve” vazhdon. Frika e serbëve, sipas fjalëve të tij, është “ende e madhe, ata as nuk mund të lëvizin të sigurt dhe as të dalin lirisht nga shtëpitë e tyre”.
“Gjithmonë ekziston mundësia që dikush të arrestohet, ngacmohet, terrorizohet, por nuk ka as de-eskalim e as qetësim të situatës. Kurti ka bërë një lëvizje manovre, siç bënë gjithmonë, tërhoqi 25 për qind e policëve, disa policë dolën, por u vendosën aty, 100, 200 metra larg ndërtesave, marrëveshja është që të gjithë të dalin jashtë, ai tani kërkon që mbajtja e zgjedhjeve të reja të jetë me kusht që të tërheqë masat ndëshkuese”, pretendon Drecun.
Ai ka pretenduar se sjellja e Perëndimit është e qartë për shumicën e opinionit.
“Qëllimi i tyre është të përfundojnë formimin e “këtij shteti të rremë”. Ata mund ta bëjnë këtë vetëm nëse e tërheqin këtë shtet në disa organizata transatlantike siç është NATO. Dhe ata bëjnë gjithçka për ta arritur këtë, Kurti me sjelljen e tij e pengon këtë plan”, pretendon Drecun.
Ai thotë se ka aktivitete intensive në aspektin e bashkëpunimit ushtarak dhe të sigurisë ndërmjet SHBA dhe Kosovës, që të intensifikohet përgatitja e “të ashtuquajturës” Ushtrisë së Kosovës, përcjell Paparaci.
“Sipas planit dhjetëvjeçar për transformimin e FSK-së, ajo duhet të jetë në kapacitet të plotë deri në vitin 2029, por ne shohim që kanë thënë se do ta përshpejtojnë këtë periudhë për dy-tri vjet. Pra, këtu diçka po përgatitet. Nëse jeni duke përgatitur forcat, “të ashtuquajturat” forca për territorin siç është Kosova, atëherë do të thotë se “keni disa plane agresive, sulmuese”, këto plane sigurisht që nuk i referohen faktit që “e ashtuquajtura” Ushtri e Kosovës do të sulmojë, për shembull, Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut, por “do të sulmojë popullin serb dhe veçanërisht serbët që jetojnë në veri të Kosovës”, përdorë Drecun, frazën e vjetër të ish-shefit të tij Millosheviq, se si “shqiptarët i sulmojnë serbët, prandaj shteti serb duhet të reagojë në mbrojtje të popullit të vet”.
Ai gjithashtu pretendon se qëndrimet e Uashingtonit janë identike me ato të Albin Kurtit, por edhe kur i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, flet për nevojën e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Gabriel Escobar thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet në përputhje me “të ashtuquajturën” Kushtetutë të Kosovës, se duhet t’u mundësojë serbëve të kryejnë vetëm disa shërbime komunale, ato komuna në atë komunitet dhe asgjë më shumë dhe se, sigurisht që nuk mund t’i ketë kompetencat e ekzekutive”, paralajmëron Drecun se Serbia nuk e ka ndërmend të pranojë asgjë më pak se modelin e Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ai ka shtuar se është mirë që Escobar, në emër të administratës së Shtëpisë së Bardhë, insiston në formimin e një Asociacioni dhe se ky është çelësi për zgjidhjen e situatës aktuale, por, siç insiston ai, “ne nuk pajtohemi me atë se si duhet të duket ky asociacion dhe mbi çfarë baze ligjore duhet të formohet”.