I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të jetë në Prishtinë nga sot deri më 3 mars, ku më pas do të vazhdojë vizitën në Beograd më 3 dhe 4 mars.
Kryetari i komisionit parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Millovan Drecun thotë se gjatë kësaj vizite ai do t`ia përcjellë Beogradit pikëpamjet e Brukselit dhe anasjelltas, raporton TV Pink.
“Unë mendoj se Lajçak po përpiqet të bie dakord mbi vazhdimin e dialogut sa më shpejt të jetë e mundur”.
“Ai nuk e përfundoi detyrën që i ishte caktuar, ai mund të ketë pritur të shkojë në Kombet e Bashkuara për ndonjë pozitë të lartë, por meqenëse nuk e përfundoi detyrën, atëherë ai ndoshta do të vazhdojë,” , theksoi ai.
Sipas Drecun, Lajçak me siguri do të vijë për të përcjellë pritjet e Brukselit në Prishtinë dhe gjithashtu për të dëgjuar pikëpamjet e atyre që duhet të formojnë shumicën politike në Kosovë, transmeton Klan Kosova.
“Ai do të shohë kur bisedimet mund të vazhdojnë, disa detaje me siguri do të diskutohen. Pastaj ai do të vijë në Beograd për të përcjellë pritjet e Brukselit dhe për të dëgjuar pikëpamjet e Beogradit”, tha Drecun.
“Unë besoj se një pozicion i fortë do t’i përcillet atij në Beograd që nëse sjellja e njëanshme e Prishtinës vazhdon në këtë mënyrë, nuk do të ketë përparim në dialog,” shtoi Drecun, transmeton Klan Kosova.