Kryetari i Komisionit parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka thënë se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës ka për qëllim që Prishtina të shkatërrojë vullnetin e shumicës së popullit serb dhe të instalojë individë nga populli serb.
Drecuni, në një bisedë për televizionin publik të Serbisë, ka thënë po ashtu se “situata mund të jetë konfliktuoze pas këtyre zgjedhjeve brenda popullit serb dhe se Prishtina mund të shfrytëzojë këtë situatë si shkas për intervenim”.
Ai theksoi se Prishtina vazhdon të “rrisë tensionet me masa të njëanshme, në vend që të heq taksën ndaj mallrave serbe dhe me të të krijojë kushte për vazhdim të dialogut me Beogradin”, transmeton Koha.net.
Drecuni ka kërkuar nga KFOR-i që të garantojë sigurinë e popullit serb në Kosovë.
“Nuk mundet që komandanti i KFOR-it të shtiret kinse nuk e njeh ndjeshmërinë e situatës në veri të Kosovës”, tha Drecuni, duke folur në lidhje me forcat e armatosura të Shqipërisë të cilat thotë të kenë shëtitur nëpër Mitrovicë.
Kujtojmë se përfaqësues të serbëve të Kosovës nga Lista Serbe sot do të priten në një takim nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për t’u konsultuar në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme lokale në komunat veriore të Kosovës, atje ku kryetarët serbë dhanë dorëheqje nga postet e tyre pas vënies së taksës nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës, nëntorin e vitit të kaluar.©