Drecun: Serbia po kthehet “hap pas hapi” në Kosovë

Prishtinë | 30 Tet 2016 | 15:14 | Nga

Kyetari i Komisionit Parlamentar për Kosovë në Serbi, Milovan Drecun, ka thënë se interesi i shtetit dhe popullit serb është që të vazhdojë dialogu në Bruksel, pasi që alternativa do të ishte jo-stabiliteti.

Drecun ka precizuar se mos-stabiliteti, si alternativë e dialogut të Brukselit, do të thoshte përkeqësim, jo vetëm mes marrëdhënieve Prishtinë – Beograd, mes shqiptarëve dhe serbëve, por edhe në rajon.

“Procesi i normalizimit do të duhej të vazhdonte”, ka thënë Drecun, për Fonet, i cili, sipas tij, do të ishte edhe në interes të BE-së dhe të disa vendeve tjera që ndikojnë në proceset në Kosovë dhe në rajon, transmeton Koha.

Ai vlerëson se kjo është mënyra që shteti i Serbisë, “hap pas hapi”, gradualisht të kthehej në Kosovë dhe të forcojë praninë dhe ndikimin e saj në procese.

Kjo, sipas tij, do të duhej të ishte në interes edhe të shteteve fqinje, Shqipërisë, Maqedonisë dhe të tjerave, të cilat tash e disa vite po përballen me “planet separatiste të shqiptarëve”.

Drecun thotë se procesi i normalizimit të marrëdhënieve duhet të vazhdojë, por thotë se në këtë proces është Prishtina ajo që nuk është e sinqertë.

“Edhe Prishtina ka ambicie evropiane. Ne nuk e pranojmë Kosovën e Metohinë si shtet, por ata i kanë ato ambicie evropiane”, ka theksuar Drecun.

Kryetari i Komisionit Parlamentar “për Kosovë dhe Metohi” në Serbi, Milovan Drecun, ka thënë se Prishtina dhe lidershipi politik shqiptar “kanë edhe disa qëllime tjera të cilat tentojnë të shkojnë vazhdimisht e më shumë drejt atij projektit të cilin tash e shumë kohë e quajmë “Shqipëria e Madhe””.

“Dëshirojnë që tërë këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve ta nxjerrin jashtë kontekstit të neutralitetit ndaj statusit dhe të na çojnë në një situatë për të diskutuar për “njëfarë shteti të Kosovës””, ka shtuar ai.

Duke folur për mënyrën e zgjidhjes së çështjes së pronave, Drecun ka konstatuar se “në këtë fazë, Prishtina është duke u përpjekur që të imponojë atë pikëpamjen se çdo gjë që ndodhet në territorin e Kosovës dhe Metohisë në momentin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë, i përket Kosovës”.

“Pra, deklarojnë se të gjitha pronat shtetërore të Serbisë, prona të ndërmarrjeve publike i përkasin atij shtetit të rrejshëm të vetëshpallur të Kosovës. Ne këtë nuk e pranojmë, dhe këtu kemi të bëjmë edhe me pronat private”, ka thënë Drecun.

“Kemi një rrezik të madh që, përmes Ligjit për themelimin e Agjencisë për investime strategjike, të legjitimojnë marrjen e pronave serbe”, ka paralajmëruar Drecun ndërsa ka vlerësuar se çështja e Trepçës mund të jetë precedan i rrezikshëm.

“Nëse do ta pranonim këtë, do të vinim në atë pozitë që do të pranonim marrjen e Trepçës përmes farsës së legjislacionit që zbatohet në Prishtinë, që pastaj gjithçka që është pronë shtetërore e Serbisë, nga ai moment, të shndërrohet në pronë të ligjshme të shtetit të vetëshpallur të Kosovës”, theksoi Drecun.

Drecun thotë se nuk mund të përjashtohet ideja se Kosova, me veprimin e saj për Trepçën, ka një plan “për destabilizimin e veriut të Kosovës”.

Kryetari i Komisionit Parlamentar “për Kosovë e Metohi” në Serbi, ka thënë gjithashtu se disa shtete në BE po kërkojnë nga Serbia t’i plotësojë disa kushte të cilat, siç thotë ai, “janë vetëm në interes të Kosovës dhe janë kërkesa kryekëput që vijnë nga Prishtina”.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme