Të gjithë të akuzuarit për rastin e njohur në opinion si “Veteranët” janë shpallur të pafajshëm të martën nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), ky rast është dëshmi se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është i pavarur dhe efikas, raporton Ekonomia Online.
Sipas, Rreze Hoxha Zhuja, menaxhere e projektit “Drejtësia Sot” në kuadër të GSJP-së, thotë se ky nuk është rasti i vetëm kur persona të profilit te lartë nuk kanë arritur të akuzohen pavarësisht posedimit të provave të pakontestueshme ndaj tyre.
“Fatkeqësisht ne jemi dëshmitarë të mungesës së dënimeve ndaj personave të profilit të lartë që arrijnë të akuzohen, vetëm sa patëm një rast të tillë, personat që kanë qenë të akuzuar për afera korruptive ose krim të organizuar u shpallën të pafajshëm, një gjë e tillë dëshmon se sistemi gjyqësor dhe sistemi prokurorial nuk arrijnë t’i dënojnë ata personat, dëshmon që të njëjtit trajtohen ndryshe nga ana e sistemit gjyqësor kjo fatkeqësisht ndikon në performancën e tërësishme të sistemit gjyqësor të Kosovës dhe njëkohësish edhe në besueshmërinë e qytetarëve ndaj rezultateve të këtij sistemit”, u shpreh ajo.
Në rastin e “Veteranëve” të akuzuar ishin ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, më pas Faik Fazliu, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Sipas aktakuzës personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme.
“Rasti i veteranëve është njëri ndër raste që fatkeqësisht është dëshmi e qartë që sistemi gjyqësor dhe prokurorial i Kosovës është i ndikuar është sistem jo efikas dhe nuk arrin të luaj ose të realizojë funksionin tij në esencë . Kjo ngaqë Prokuroria dëshmojë që nuk ka profesionalizmin e duhur për të ngritur aktakuza që bazohen në prova të pakontestueshme nuk arrijnë të ngritë aktakuza të cilat tregojnë për secilin të akuzuarit veç e veç, veprimet inkriminuese të tyre që pastaj ia bëjnë më të lehtë gjykatës dënimin e tyre dhe njëkohësish prokuroria ka dëshmuar që nuk arrijnë të ofrojë një përfaqësim dinjitoz të këtyre aktakuzave pranë Gjykatës, rrjedhimisht kemi dënime ose mungesë të dënimeve në rastet të tilla dhe që rezulton në dështimin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend”, tha Hoxha-Zhuja për Ekonomia Online.
Gjatë monitorimit të seancave gjyqësore në kuadër të projektit “Drejtësia Sot”, ajo thotë se një ndër problemet më të shpeshta që kanë vërejtur është fillimi me vonesë i seancave, ku 90 për qind të tyre fillojnë pas orarit të caktuar.
“Që nga qershori i vitit 2019 përmes platformës “Drejtësia Sot” ne jemi duke bërë monitorimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial me fokus të veçantë në monitorimin e lëndëve te korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe lëndëve te tjera të profilit të lartë. Ajo se ne çfarë ne kemi vërejtur gjatë procesit të monitorimit kanë qenë ato që veçse edhe dihet do të thotë janë vonesat në fillimin e seancave gjyqësore që rrjedhimisht mund të vijmë me një statistikë që 90% të seancave gjyqësore fillojnë me vonesë, jo në orarin që janë caktuar kjo për arsye se vonohet gjyqtari, prokurori, avokati palë e kështu me radhë gjë që ndikon në procesin gjyqësor”, u shpreh ajo.
Një tjetër problem është edhe ndërrimi i brendshëm organizativ të gjykatës, pasi si rrjedhojë e kësaj disa lëndë gjyqësore rikthehen në fillim të gjykimit.
“Së dyti, pastaj është mos caktimi i seancave gjyqësore dhe shkelja e afateve që përcaktohen me kodin e procedurës penale, të dyja këto ndikojnë direkt edhe në parashkrimin e lëndëve, gjë që edhe ka ndodhur, meqenëse jemi dëshmitarë të asaj që disa prej rasteve janë parashkruar, ose disa prej pikave të aktakuzave janë parashkruar dhe së fundit e kisha cilësuar edhe ndërrimin e brendshëm organizativ të gjykatës sidomos asaj të Prishtinës, departamentit të krimeve të rënda, meqenëse gjyqtarët transferohen ose kalojnë në pozita ose në departamente të tjera, siç është rasti me kalimin e gjyqtarëve ne departamentin special jo të gjitha lëndët, mirëpo disa nga këto lëndë duhet të rikthehen në fillim, të gjykohen nga fillimi meqenëse ndryshohet trupi gjykues gjë që direkt ndikon në shqyrtimin e tërësishëm të lëndës, në kohën e cila do të thotë shpenzohet në trajtimin e këtyre lëndëve dhe gjërave të tjera”, tha Hoxha-Zhuja.
Institucionet e Kosovës, për disa vite me radhë, janë duke punuar për fillimin e procesit të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe jo vetëm, por deri më tash ky proces nuk ka nisur ende.
Hoxha-Zhuja thotë se nisja e reformës së vetingut është kyç për sistemin e drejtësisë.
“Grupi për Studimi Juridike dhe Politike si dhe “Drejtesia Sot” në vazhdimësi kanë avokuar që reforma e vetme që duhet bërë është krijimi i mekanizmit të vetingut, hynë në rol edhe Qeveria me krijimin e një mekanizmit të tillë i cili do të siguronte pavarësinë dhe integritetin dhe profesionalizmin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë pjesë ë sistemit dhe atyre që i bashkohen sistemit në vazhdimësi, e vetmja gjë që do të ndikonte është në reformat të cilat nuk janë kozmetike në kuptimin e esencës së tyre, mirëpo të njëjtat do të duhej të adresonin problemet që janë identifikuar në vazhdimësi në sistem, përndryshe çdo veprim ose ndërhyrje tjetër i Qeverisë ndaj sistemit do të konsiderohej ndërhyrje, marr parasysh që sistemi gjyqësor është brenda pushtetit gjyqësor që është edhe pushteti i tretë dhe i pavarur nga ai i ekzekutivit”, përfundoi ajo.