Drejtoresha e Arsimit: Nuk do të ketë punësime partiake në shkolla, drejtorët do të zgjidhen në bashkëpunim me Ambasadën Britanike

Prishtinë | 04 Maj 2022 | 11:36 | Nga Ekonomia Online

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës nga radhët e PDK-së, Besiana Musmurati, ka njoftuar se nga tash përzgjedhja e drejtorëve dhe zëvendës-drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme në Prishtinë do të përzgjidhen në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Kosovë.

Përmes motos “Jo politikë në Arsim”, Musmurati ka thënë përmes kësaj iniciative, të nisur nga Drejtoria e Arsimit, do t’i japin fund punësimeve politike e partiake në Arsimin e Prishtinës, duke vënë një vijë të qartë dalluese mes qeverisjes aktuale dhe atyre të kaluara.

“Do t’iu japim fund punësimeve partiake në shkollat e Prishtinës! Jam e lumtur që për herë të parë në historinë e Komunës së Prishtinës, me kërkesën dhe iniciativën e Drejtorisë së Arsimit, drejtorët dhe zëvendës-drejtorët e shkollave tona do të përzgjedhen në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Kosovë. Me këtë, ne do të vendosim një vijë të qartë mes qeverisjes sonë në shërbim të qytetarëve dhe qeverisjeve të kaluara.”, ka shkruar Drejtoresha Besiana Musmurati.

Më tej, Musmurati ka thënë se menaxhimi i shkollave është jetik për funksionim të mirëfilltë të arsimit.

“Edukimi dhe arsimimi i fëmijëve të Prishtinës lidhet ngusht me mënyën e funksionimit dhe menaxhimit të shkollave dhe çerdheve. Prandaj, e konsideruam çështje të rëndësisë parësore që procesin e emërimit të drejtorëve dhe zëvendës-drejtorëve të shkollave ta bëjmë sa më transparent dhe gjithëpërfshirës. Duke ua lënë udhëheqjen profesionistëve, të ardhmen ua japim nxënësve, kurse punësimet jo-meritore të kaluarës.”, ka përfunduar ajo.

Të ngjashme