Drejtoresha e Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ), Dajana Berisha, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e sotëm të Këshillit për bashkëpunim të Qeverisë me Shoqërinë Civile.
Ajo në një deklaratë të shpërndarë për media si arsye kryesore të mospjesëmarrjes në këtë tryezë ka renditur praninë e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj në të.
“Kurrsesi nuk mund të ulem në të njëjtën tryezë me të ashtuquajturin zv.Kryeministër të Republikës së Kosovës, i cili, me arrogancë politike, dhe mungesa të theksuar harmonie kognitive, mungesë të vetëdijes kombëtare e qytetare, i cili, për shkak të paaftësisë për te konkuruar me vision, ide zhvillimore e mbrojtje të të drejtave të viktimave dhe të humburve gjate luftës së fundit në Kosovë pretendon popullaritet mbi bazën e deklarateve të papërgjegjshme ndaj kategorise më ndjeshme të shoqërisë sonë”.
“Refuzoj të diskutoj përfshirjen e shoqërisë civile në politik-bërje zhvillimore me një individ, si Z. Selmanaj, që pretendon se qëndron mbi çdo viktimë dhe të humbur, fëmijë apo shqiptar i rritur, për shkak të inteligjencës së tij të dëmtuar prej vetë-kënaqësisë”.
” Ashtu sikurse dhe në të kaluarën FIQ mbetet i përcaktuar, që niveli dhe natyra e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile të jenë parimore dhe të udhëhequr nga nevojat, prioritetet dhe respektimi i kërkesave të qytetarëve mirëpo për fat të keq Z. Selmanaj jo vetëm që nuk i përfaqëson këto vlera, por përkundrazi i ka nëpërkëmbur dhe injoruar ato”, thuhet në deklaratën e saj dërguar mediave.