Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka thënë se është kontaktuar nga kabineti i ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, në lidhje me orën Rolex, dhuratë kjo nga shteti i Katarit, raporton Ekonomia Online.
Në diskutimin “Fol Hapur”, organizuar nga Lëvizja Fol, Buleshkaj ka thënë se ora është raportuar si dhuratë protokollare dhe se ministri ka deklaruar se nuk dëshiron ta mbajë për vete.
“Ajo sa e di unë e ka raportuar si dhuratë protokollare. Pjesa e dhuratave nuk ka ndryshuar fare, është e njëjta pjesë. I njëjti trajtim i dhuratave. Kabineti i ministrit na ka kontaktuar si zyrë menjëherë pas arritjes nga vizita, na ka pyetur për procedurat se si duhet të ndiqen në lidhje me këtë dhuratë dhe na kanë thënë që dhurata pa marrë parasysh edhe nëse ministri mund ta bëjë vetë nuk dëshiron ta mbaj vetë por do ta lë në institucion. Qoftë për vlerën qoftë për punën që i është dhënë në një vizitë zyrtare e nuk i është dhënë në vizitë private”.
Duke folur për punën që ka marrë në fillim të këtij viti, Buleshkaj e konsideron sfiduese, pasi thotë se merret me verifikim të zyrtarëve të lartë.
“Sfidat të cilat i kam pritur nga vëzhgimet e jashtme, shumica nga ato janë vërtetuar edhe brenda, por, ta them të vërtetën më ka dalë më mirë se që e kam pritur. Jam i lumtur për këtë. Sfida kemi shumë sepse ne merremi me zyrtarë të lartë, me verifikime të pasurie të zyrtarëve të lartë, me shqyrtim të rasteve të konfliktit të interesit për zyrtarët e lartë. Duke filluar nga drejtorët e deri tek presidenti i vendit. Ka sfida të një pas njëshme, të cilat deri më tani nuk është se kemi pasur vështirësi që t’i tejkalojmë. Ato që janë pak më të vështira është mungesa e stafit të agjencisë, adekuat për ta zbatuar mandatin, e kemi një numër të caktuar po ai numër besoj që është i vogël në mënyrë që ne më shpejtë dhe më mirë ti shërbejmë qytetarëve dhe zyrtarëve të cilët janë të obliguar të na raportojnë”, tha Buleshkaj.
Teksa ka folur për Ligjin për deklarimin e pasurisë, numri një i AKK-së tha se synim kanë shtimin e numrit të subjekteve deklaruese. Me mospjesëmarrjen e Kosovës në traktatin e shkëmbimit të informatave, Buleshkaj tha se e dëmton tejmase Kosovën, pasi nuk mund të kenë bashkëpunim me shtetet e rajonit.
“Ligji ka disa risi, e para dhe e rëndësishme është që rritet shumë numri i subjekteve deklaruese, shtohen edhe mjekët e sektorit sekondat dhe terciar të sistemit shëndetësor. Rritet edhe numri i shqyrtimit të doganave, të gjithë doganierët do të jenë të obliguar, pa marrë parasysh nivelin e tyre udhëheqës apo jo udhëheqës për ta deklaruar. Të gjithë zyrtarët që mbajnë ndonjë detyrë publike që lidhet me inspektim, do të jenë pjesë e deklarimit”, tha tutje ai.
“Kosova nuk është anëtare e traktatit për shkëmbimin e informatave lidhur me verifikimin e pasurisë. Është një traktat i cili është nënshkruar nga të gjitha shtetet rajonale. Nuk e di çka e ndalon Kosovën, ka qenë pjesë e hartimit të këtij traktati, traktati është nënshkruar nga të gjitha vendet e Ballkanit në vitin 2019 dhe është e depozituar në Serbi sepse vend opozitar është Serbia. Kosova po besoj që duhet t’i shoh mundësitë për ta ratifikuar këtë traktat në mënyrë që ne pastaj të kemi mundësi të lehta për t’iu qasur informatave përmes institucioneve si motra në rajon. Nuk e obligon asgjë asnjë institucion rajonal që të bashkëpunoj me ne nëse ne nuk jemi pjesë e atij traktati”, tha Buleshkaj.