Është demantuar lajmi se është arrestuar drejtori i ATK-së në Gjilan, Alban Qerimi. Avokati Sherif Sherifi ka sqaruar se Alban Qerimi vetëm ka dhënë një intervistë në stacionin policor në Gjilan, që lidhet me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare të një inspektori tatimor.
Avokati Sherifi Sherifi, ka demantuar lajmin e dalë në media lidhur me arrestimin e Drejtorit të ATK-së në Gjilan, shkruan RajoniPress.
Sherifi ka thënë se është e vërtetë se Qerimi ka dhënë një intervistë në Stacionin e Policisë në Gjilan, me një rast që dyshohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit nga një zyrtar – inspektor tatimor.
“Mirëpo nuk është e vërtetë se z. Alban Qerimi, është arrestuar në flagrancë ashtu siç është përmendur në mediet qendrore”.
Sipas tij klienti i tij, pas përfundimit të intervistës nga ana e policisë është liruar në shtëpi, ndërsa me urdhër të prokurorit të rastit, Inspektorit tatimor i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve, por jo edhe ndaj Qerimit.
Avokati Sherif Sherifi ka kërkuar nga mediet ta korrigjojnë këtë gabim, pasi “është dëmtuar autoriteti profesional dhe qytetar” i klientit të tij.