Drejtori i Interit: Nëse Lautaro shkon në Barcelonë, do ta zëvendësojmë me një yll tjetër

Prishtinë | 09 Qer 2020 | 13:01 | Nga Ekonomia Online

Drejtori ekzekutiv i Interit, Giuseppe Marotta, shpreson se Barcelona nuk do ta paguajë klauzolën për shkëputjen e kontratës së Lautaro Martinezit, mirëpo u premtoi tifozëve se do ta sjellë një tjetër yll në San Siro nëse argjentinasi largohet.

Lautaro Martinez ka ngjallur interesim te gjigantja e La Ligës, Barcelona, ndërsa Interi insiston se nuk do ta shesë sulmuesin e vet pa ia paguar klauzolën për shkëputjen e kontratës së futbollistit, që është vendosur në 111 milionë euro.

Marotta sërish e theksoi se klubi i Serisë A nuk është i interesuar ta shesë Lautaron, mirëpo tha se një tjetër sulmues elitar do të transferohet në San Siro nëse 22-vjeçari largohet gjatë afatit kalimtar të verës.

“Është e vështirë ta deklarosh të ardhmen e tij për momentin, por unë thjesht i them atij: qëndro i përqendruar në të tashmen, sezoni do të rinisë dhe ti ke gola për të shënuar”, ka thënë drejtori i Interit për Gazzetta dello Sport.

“Nuk kemi aspak dëshirë ta sheshim Lautaron. Ai është i ri, e ka të ardhmen e vet dhe është një element i rëndësishëm për trajnerin Antonio Conte. Pastaj, natyrisht, ai e ka klauzolën për shkëputjen e kontratës”.

“Nuk e di se çfarë po mendon Barcelona, ndoshta ata kanë edhe alternativa të tjera. Unë shpresoj se ata nuk do ta paguajnë klauzolën. Nëse Lautaro largohet, atëherë në vend të tij do të vijë një top lojtar”.

“Por, në të këtë treg evropian, sfida e vërtetë s’do të jetë të blesh lojtarë, por të shesësh. Dua ta them një gjë, transferime si ai i Neymarit, në të cilat një ekip ia rrëmben yllin një tjetri ekip, nuk do të shihen për shumë vite”.

Interi është raportuar se është interesuar për Edinson Cavanin, i cili i ka shënaur shtatë gola në 22 paraqitjet e tij këtë sezon. Por, Morata ka thënë se s’është arritur ende marrëveshje me Cavanin, të cilit i përfundon këtë verë kontrata me PSG-në.

“Ajo është njëra ndër mundësitë, po e monitorojmë si futbollist që mund të vijë si transferim i lirë. Por, nuk e kemi shqyrtuar thellësisht. Për momentin ai është larg Interit”, shtoi Marotta.

Të ngjashme