Pas pranimit të fajësisë, drejtori i Klinikës së Ortopedisë dhe Traumatologjisë Lokomotore, pranë QKUK-së Gani Jashanica është dënuar me 200 euro, i akuzuar se nuk deklaroi pasurinë me kohë.
Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë të hënën gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarit Jashanica i shqiptohet dënim me gjobë në vlerë prej 200 euro, të cilin dënim mund ta paguajë me 3 këste.
Në rast se i njëjti nuk e paguan dënimin me gjobë brenda afatit ligjor, atëherë ky dënim do t’i të zëvendësohet me dënim me burgim.
I njëjti është i obliguar që të paguaj edhe 20 euro për shpenzimet gjyqësore, si dhe 20 euro tjera në emër të fondit të viktimave të krimit.
Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur në po të njëjtën ditë, i akuzuari Jashanica ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.
“Normal që e ndjej vetën fajtor, nuk do të vonohem prapë”, ka deklaruar Jashanica, duke theksuar se është hera e parë që është drejtor dhe se nuk i ka ditur të drejtat dhe detyrimet.
Sipas aktakuzës, së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë e cila rezulton të jetë përpiluar më 5 tetor 2022, Gani Jashanica akuzohej për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.