Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti së bashku me menaxhmentin e lartë të PK-së, priten në takim zyrtar përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare si; Kryetaren e KQZ-së, Koordinatoren nacionale nga Prokuroria e Shtetit, Komandantin e KFOR-it, Shefin e EULEX-it, Shefen e Zyrës Rajonale të Sigurisë pranë Ambasadës Amerikane, ICITAP-it Amerikan, përfaqësues të OSBE-së dhe përfaqësues të zyrës së BE-së .
Qëllimi i këtij takimi ishte i karakterit njoftues lidhur me implementimin e planit policor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, përmes të cilit Policia e Kosovës synon krijimin e një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.
Ky plan parasheh bashkërendimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta të parapara sipas Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të institucioneve kompetente vendore, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Policia e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse treguan përkushtimin drejt angazhimit të tyre në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit, për t’iu mundësuar ushtrimin e lirë të së drejtës së votës.
Njëkohësisht institucionet relevante inkurajojnë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, KQZ-në dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë, me procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre.