Mehmeti: Nuk do të tolerohen sjelljet jo profesionale dhe tejkalimi i autorizimeve policore

Prishtinë | 16 Mar 2021 | 18:53 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti i shoqëruar nga menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës, mbajtën sot një takim zyrtar në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës, për të diskutuar rreth punës dhe angazhimeve policore përfshirë integritetin, kodin e etikës, komunikimin, mbikëqyrjen, si dhe qasjen ndaj qytetarëve.

Mehmeti, në këtë vizitë pune, në të cilin ishin prezent menaxhmenti i Drejtorisë Rajonale Prishtinë, komandantët e stacioneve, eprorë dhe mbikëqyrës të niveleve të ndryshme, i falënderoi ata për angazhimet, rezultatet e arritura dhe për punën e tyre të deritanishme në këtë situatë sfiduese nga pandemia.

Njëkohësisht, Mehmeti kërkoi ngritjen e përgjegjësisë në menaxhim dhe mbikëqyrje nga eprorët e të gjitha niveleve me qëllim të avancimit të mëtejmë të besueshmërisë dhe imazhit të Policisë së Kosovës, si organizatë profesionale në shërbim të qytetarëve.

Po ashtu, u kërkua të mbikëqyret puna e zyrtarëve policorë në terren që të kenë komunikim dhe qasje profesionale në të gjitha rastet pavarësisht rrethanave me të cilat përballen, duke treguar përgjegjësi dhe llogaridhënie në interes të shërbimit sa më cilësor ndaj nevojave të qytetarëve.

Menaxhmenti i Policisë së Kosovës do të mbetet i përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore, në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit, andaj me qëllim të një shërbimi sa më efikas, nuk do të tolerohen sjelljet e mundshme jo profesionale dhe tejkalimi i autorizimeve policore.

Policia e Kosovës njëkohësisht falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin e treguar ndaj policisë, njëherë inkurajon të gjithë qytetarët të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm apo sjellje të mundshme joprofesionale nga ana e zyrtarëve policorë, thuhet në komunikatën për media.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme