Drejtori i ri i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, sot edhe zyrtarisht ka pranuar detyrën e tij të re në këtë institucion.
Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të detyrës, ku merrte pjesë dhe ministri i Financave, Berisha u zotua se do të vazhdojë në ndërtimin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të Doganës.
Pas marrjes së detyrës ai ka thënë se ka 18 vjet që punon në Doganën e Kosovës dhe ka mbajtur pozita të larta, raporton Ekonomia Online.
“Për mua kjo sot nuk është privilegj që kam marrë një detyrë të re , por është një përgjegjësi që e kam marrë me drejtuar një institucion drejt arritjes së objektivave në mbrojtje të shoqërisë dhe ekonomisë në përgjithësi. Unë do të vazhdojë një rrugë e cila është ndërtuar tash e sa vite në ndërtimin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve të Doganës “, tha ai.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se pranim-dorëzimi i kësaj detyre po bëhet pas një procesi shumë të hapur, konkurrent dhe transparent të zgjedhjes së drejtorit të ri të Doganës nga nëntori i vitit të kaluar kur është hapur konkursi.
“Është përzgjedhur drejtori i ri i Doganës i cili ka përvojë të jashtëzakonshme në Doganë prej ditëve të para . Më vjen mirë që të gjitha reagimet kanë qenë pozitive si nga zyrtarë doganorë, si nga stafi, si nga shoqëria civile si nga bizneset për këtë përzgjedhje që kemi bërë dhe emërimin që ka bërë kryeministri për Bahri Berishën , me një proces që besoj ka vendosur standarde të larta në mënyrë se si emërohen njerëzit në pozita të larta drejtuese nëpër institucione të vendit”, tha ai.
Sipas Hotit, gjatë këtij viti Dogana pritet të mbledh një miliardë e 108 milionë euro, duke arritur rekord të të hyrave nga ky institucion.
Hoti falënderoi për punën që deri më tani ka bërë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Doganës, Fahri Berisha.
“Që nga tetori i vitit të kaluar e deri tash ka mbajtur Doganën në performancë të jashtëzakonshme me bashkëpunëtorë këtu në Doganë, me një frymë shumë të mirë të bashkëpunimit e përgëzoj për punën që ka bërë dhe për tranzicionin që sipas ligjit plotësisht të kalimit të detyrës tek drejtori i ri”, tha ai.
Fahri Gashi, theksoi se sot është dita kur bëhet pranim dorëzimi i detyrës te drejtori i ri i përgjithshëm, dukem shtuar se për aq kohë sa ka punuar ka punuar më një staf shumë profesional.
“Është një përgjegjësi dhe është një sfidë po besojë që drejtori i ri do të realizon me shumë sukses detyrën e re”, tha ai.
Drejtori i ri i Doganës së Kosovës është emëruar dje nga kryeministri Isa Mustafa me rekomandim të ministrit të Financave Avdullah Hoti.
Drejtori i përgjithshëm i Doganës ushtron këtë funksion nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi deri në përfundimin e mandatit pas tri viteve, me mundësi të vazhdimit të mandatit.