Drejtori menaxhues i RTV Dukagjinit sqaron largimin e dy punëtorëve nga puna

Prishtinë | 19 Nën 2018 | 16:53 | Nga Ekonomia Online

Drejtori Menaxhues i RTV Dukagjinit, Ermal Panduri, ka sqaruar për opinionin dhe për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës rastin e largimit nga puna të dy punëtorëve.

Në postimin e tij në rrjetin social “Facebook”, Panduri ka treguar se arsyeja për largimin e tyre është refuzimi për përshtatje “ristrukturimit dhe kushteve të reja të punës”.

Postimi i plotë:

“Të nderuar,

Të shtunën, më 17 nëntor 2018, keni kërkuar sqarim për disa zhvillime brenda RTV Dukagjini.

Sa i përket dy rasteve të cilat i keni potencuar, ne kemi respektuar të gjitha procedurat.

Ne ju falenderojmë që keni cekur se të gjitha paqartësitë dhe paknaqësitë lidhur me këtë vendim duhet të adresohen në Inspektoratin e Punës. Ne mirëpresim angazhimin e inspektoratit dhe të gjitha mekanizmave të tjerë kompetente.

Ndërkohë për informatën tuaj na lejoni të ju sqarojmë se:

RTV Dukagjini në kuadër të ristrukturimit në infrastrukture është duke kaluar në një fazë ndryshimesh të lokacioneve. Në kuadër të kësaj strategjie është shtrirja edhe përtej territorit të Republikës së Kosovës.
RTV Dukagjini deri në këtë vit ka operuar me dy studio në Pejë dhe në Prishtinë.

Gjatë këtij viti, në kuadër të ristrukturimit, një pjesë e konsiderueshme e stafit ka filluar të udhëtoj nga Peja dhe Prishtina për në Shkabaj, ku është Selia e re qendrore e RTV Dukagjinit, një objekt që përmbush kushtet për punë dhe tejkalon të gjitha standardet e komoditetit në krahasim me kushtet që ofrohen jo vetëm në mediat vendore por edhe më gjërë.

Nga viti i ardhshëm, Radio Televizioni Dukagjini do të ketë shtrirje rajonale. Si rezultat i kësaj, nuk do të ketë prani fizike në Pejë, por në të gjitha kryeqytetet e rajonit.
Transporti për të gjithë kolegët tonë në Pejë është i siguruar. 50% e kohës së udhëtimit u llogaritet brenda orarit të punës, orari i udhëtimit është i përshtatshëm, paga mbetët e paprekur, derisa mediumi ynë për të gjithë të punësuarit ka të siguruar edhe ushqimin pa pagesë.

Të gjitha këto tregojnë se kemi arritur të ndërtojmë një media që është vend i sigurtë dhe i dinjitetshëm pune për gjithsecilin prej nesh.

Neve na vie keq për secilin rast kur kolegët tonë refuzojnë t’i përshtaten ristrukturimit dhe kushteve të reja të punës, të përshkruara edhe në kontratat aktuale të punës.

Përndryshe numri i madh i kolegëve që po na bashkohen dhe do të na bashkohen, na bën të ndjehemi mirë dhe krenar për gjithcka që po bëjmë dhe po i japim medias dhe gazetarisë në vendin tonë.

Ftojmë AGK-në që të mos ndalet asnjëherë në adresimin e brengave të gazetarëve”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme