Drejtori nga radhët e PDK-së thotë se Rama e përgëzoi “për punën dhe energjinë” para shkarkimit

Prishtinë | 04 Shk 2024 | 09:17 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës të premten bëri të ditur se ka marrë vendim që ta lirojë nga detyra drejtorin për Shërbime Publike, Ilirik Musliu, për shkak të gjendjes alarmante me mbeturina. Ai shtoi se do ta marrë përsipër zgjidhjen e kësaj situate.

Pasi u lirua nga detyra, drejtori nga radhët e PDK’së ka bërë një reagim në Facebook, duke thënë se është i habitur dhe i shokuar nga vendimi i Ramës.

Ai tha se para se të shkarkohej është takuar me kryetarin Rama, duke shtuar se ai u përgëzua nga Rama për punën, energjinë dhe performancën e tij.

“Jam totalisht i habitur dhe i shokuar nga ky vendim për faktin se me angazhimin, punën dhe vullnetin e rezultatet e shkëlqyera që i kemi pasur si drejtori, gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë me kryetarin Rama, e këtë më së miri e dëshmon fakti që 70% e prezantimit të punëve dhe projekteve nga kryetari janë të drejtorisë që është drejtuar nga unë. Për këtë arsye edhe kam pritur një trajtim njerëzor fillimisht, e pastaj edhe profesional. Akoma më shumë jam i habitur për faktin se një ditë para këtij vendimi diskutuam dhe e njoftova për projektin e parkingut solar në parkun e Gërmisë për cka edhe u përgëzova, dhe në të njëjtën kohë u dakorduam edhe për datën e përurimit të këtij projekti që do të ishte java e parë e muajit mars. Po ashtu i konfirmova edhe prezencën në takimin që ishte i aranzhuar për ditën e martë, më 6 shkurt, me bizneset e vogla të kryeqytetit dhe në asnjë moment nuk përmendi ndonjë pakënaqësi rreth performancës sime, përkundrazi si në shumicën e rasteve pata vetëm përgëzime për energjinë, punën dhe angazhimin. Më ka zhgënjyer tejmase ky trajtim për faktin se gjatë kësaj periudhe dyvjeçare kam qenë profesional dhe lojal në misionin që e kam marr, për të punuar në të mirë të qytetarëve të kryeqytetit, mision ku jam zhvesh prej petkut politik, e kam ngri pozitën e nënkryetarit të degës së PDK’së në Prishtinë dhe i kam shërbyer secilës kërkesë të qytetarëve pa dallime partiake”, tha ai.

Statusi i Ramës për lirimin e tij nga detyra, Musliu tha se është i pasinqertë dhe i pasaktë në përmbajtje.

Të ngjashme