Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Vushtrrisë, Abdullah Klinaku pak kohë para se t’i kalojë mandati i drejtorit është punësuar në spitalin e këtij qyteti “Sheikh Zayed”.
Punësimi i Klinakut në këtë pozitë është bërë dy muaj para se kabinetit të Bajram Mulakut t’i kalojë mandati qeverisës.
Klinaku ka pranuar se është punësuar, por sipas tij kjo ka ndodhur pasi ai është tërhequr nga Drejtoria e Shëndetësisë. “Jam zgjedhur me konkurs të rregullt, nuk ka ndonjë parregullsi, arsyet e ndërrimit të pozitës janë personale”, tha Klinaku, transmeton KALLXO.com.
Në Raportin Zyrtar të Inspektoratit të Punës thuhet se Klinaku ishte kandidati me më së shumti pikë dhe notë mesatare 9.64.
“Inspektorati i Punës konstaton se përzgjedhja e Abdullah Klinakut është e drejtë dhe në pajtim me infrastrukturën ligjore”, thuhet në raport.
Kalimi nga pozita politike në pozitë të shërbyesit civil është komentuar edhe nga zyrtarët e opozitës.
Besim Muzaqi, zyrtar i Vetëvendosjes, në këtë komunë e ka quajtur proces “rehatimi” punësimin e Klinakut.
“Drejtorët e disa drejtorive tashmë janë ‘rehatu’ nga pozitat politike në pozita publike me kontrata të përhershme”, tha Muzaqi.