Drejtuesit e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj dhe Betim Musliu, të hënën, kanë takuar Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Pecin, me qëllim që t’ia dorëzojnë raportet e monitorimit dhe hulumtimit sistematik të sistemit të drejtësisë në vend si dhe për të avokuar për zbatimin e rekomandimeve të IKD-së. “Në kuadër të bashkëpunimit me Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, kemi zhvilluar një takim të dobishëm me Kryetarin e saj, z. Enver Peci, të cilit ja kemi dorëzuar në kopje fizike raportet e IKD-së të publikuara gjatë vitit 2019. Kemi diskutuar gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet kryesore të këtyre raporteve të IKD-së, për të cilat kemi marrë zotimin e kreut të supremes, se do të shqyrtohen seriozisht për t’i zbatuar Gjykata Supreme në kuadër të mandatit të saj”, tha Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së.
Kreu i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Enver Peci, ka vlerësuar punën e IKD-së në monitorimin dhe hulumtimin e temave me rëndësi në fushën e drejtësisë. “Fillimisht Ju falenderoj për punën dhe kontributin e dhënë në përmirsimin e punës së gjyqësorit në përgjithësi”.
Kryetari Peci, tha se në këtë takim, ka diskutuar me drejtuesit e IKD-së rreth punës së monitorimit të sistemit të drejtësisë si dhe shqyrtimit të gjetjeve dhe rekomandimeve që dalin nga raportet. “Gjatë takimit diskutuam për punën e IKD-së rreth monitorimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në përgjithësi, pranova raportet e publikuara deri më tani dhe si Kryetari Gjykatës Supreme kam siguruar se do të kujdesem që rekomandimet e dalura nga raportet të implementohen.”
IKD në vazhdimësi ka avokuar tek të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë, duke dërguar të gjitha raportet me gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet konkrete si dhe duke takuar zyrtarët përgjegjës në të gjitha institucionet me rëndësi për të shtyrë përpara politikat që rritin efikasitetin dhe efektivitetin e punës së sistemit të drejtësisë, për të mundësuar realizimin e të drejtave të qytetarëve dhe qasjen e tyre në drejtësi.