Skuadra e Drenicës e ka mbyllur në avantazh pjesën e parë kundër Feronikelit me rezultatin 2:1 në ndeshjen që po luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” të Drenasit dhe i takon xhiros së 21 në Superligën e Kosovës në futboll.
Kreshnik Uka (18’) dhe Erlis Frashëri (45’+2) kanë shënuar për Drenicën derisa golin për skuadrën e Feronikelit e ka realizuar Marko Simonovski (38’). Feronikeli ka mbetur me një lojtar më pak në fushë pasi në minutën e parë të kohës shtesë, mesfushori Besmir Bojku është përjashtuar nga loja pas kartonit të dytë të verdhë.
Ndërkohë, në ndeshjen e luajtur në Brestovik të Pejës, skuadra e Arbërisë është në epërsi prej dy golave kundër Besës. Braziliani Marclei (8’, 33’) ka shënuar golat për ekipin nga Dobraja që është në prag të fitores së parë në stinorin pranveror.