Me rezultat 3-1, Drenica e ka mposhtur Dukagjinin në udhëtim, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.
Nikoqirët e nisën më mirë takimin duke sulmuar në minutat e para dhe arritën ta zhbllokonin rezultatin në minutën e 13-të të sfidës.
Granit Arifaj e shfrytëzoi një asistim nga Arbër Shala dhe shënoi për epërsinë 1-0 të Dukagjinit.
Mirëpo, pas golit të pranuar, mysafirët u angazhuan më shumë dhe pas 20 minutave lojë e barazuan rezultatin. Flamur Muleci shënoi nga brenda zonës për 1-1.
Pa përfunduar pjesa e parë, vizitorët shënuan sërish për ta përmbysur rezultatin. Argjend Mustafa realizoi për 1-2 nga largësia (42’).
Në pjesën e dytë, drenicasit patën përsëri më shumë nga loja, duke shënuar edhe një herë me Mustafën (82′) dhe vulosur fitoren me rezultat 1-3.
Kjo ishte fitorja e tetë për Drenicën që numëron edhe gjashtë barazime dhe tetë humbje, ndërsa qëndron në vend të shtatë në tabelë.
Dukagjini ka arkëtuar vetëm dhjetë pikë nga 22 ndeshje dhe qëndron në fund të tabelës.