Dyshja sulmuese, Kreshnik Uka dhe Dardan Rogova janë përforcimet e fundit të klubit të Drenicës.
Drenica e ka nisur vrullshëm afatin kalimtar dimëror duke kryer tashmë pesë përforcime.
Pas transferimeve të Behar Ramadanit nga Vllaznia e Shkodrës, Eglentin Gjonit nga Llapi dhe Donald Rapo nga Laçi, Drenica ka bërë edhe dy ‘goditje’.
“Sot në ambientet e klubit tonë, janë prezantuar edhe dy lojtarë tjerë, që kanë përforcuar radhët e klubit”, thuhet fillimisht në njoftimin e klubit drenicas.
“Fjala është për sulmuesin vendas, Kreshnik Uka, i cili ka ardhur në formë huazimi për 6 muaj nga FC Prishtina, me mundësi vazhdimi. Ukën e njohim të gjithë, dhe ai do t’i ndihmojë skuadrës për stinorin pranveror”.
“Uka luan në pozitën e sulmuesit të krahut dhe që nga dita e sotme është ven nën ‘urdhrat’ e trajnerit Bledar Devolli”.
“Ndërkohë, edhe një sulmues tjetër zbarkon në Drenicë. Fjala është për ish-sulmuesin e Besës dhe se fundmi Vëllaznimit, Dardan Rogova. Ky i fundit gjithashtu është sulmues krahu dhe ka filluar menjëherë stërvitjet me grupin”.
“Drejtuesit e klubit shumë shpejt do t’i zyrtarizojnë edhe marrëveshjet me disa futbollistë tjerë të spikatur, që do të përforcojnë skuadrën për pjesën pranverore të kampionatit”, mbyllet njoftimi i Drenicës.