Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka treguar se Grupi Parlamentar i AAK-së e mbështet protestën e thirrur nga infermierët e Kosovës.
Dreshaj ka thënë se infermierët duhet të jenë heronj në vepër e jo vetëm heronj në letër.
“Grupi Parlamentar i AAK-së e mbështet plotësisht protestën e thirrur nga infermierët e vendit. Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 e deri më sot, infermierët dhe i gjithë stafi shëndetësor ka bërë punë vetëmohuese. Kërkesat e tyre drejtuar Qeverisë së Kosovës janë krejtësisht të drejta.
Qeveria e Republikës së Kosovës duhet sa më parë të ndajë buxhet për rritjen e pagesës së ndërrimeve të natës për infermierë, pagesën e punës gjatë vikendeve, orët shtesë të punës dhe pagesën e rrezikshmërisë në punë” ka shkruar Dreshaj në llogarinë e tij në Facebook.
Më tej, ai ka theksuar se Qeveria sa më parë duhet të sjellë në Kuvend Ligjin e pagave.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë gjithmonë pro këtij ligji. Përmes Ligjit të pagave duhet t’u mundësojmë kushte të dinjitetshme infermierëve tanë. Infermierët tanë duhet të jenë heronj në vepër e jo vetëm heronj në letër. Në vend se të ndalen shtesat për infermierët tanë siç ka ndodhur nga ana e kësaj qeverie, e në vend të saj të paguhet rryma për serbët në veri ka qenë dashtë të ndodhte e kundërta”, ka vazhduar ai, duke shtuar se Qeveria i ndali shtesat me arsyetimin se nuk ka buxhet, ndërkaq mori vendim që t’i paguajë 11 milionë euro serbëve në veri për rrymën e shpenzuar, duke shkelur mbi parimin e barazisë së qytetarëve dhe duke legalizuar krimin në veri.
Dreshaj, gjithashtu, përmes këtij reagiimi, ka thënë se infermierët dhe i gjithë stafi shëndetësor janë heronjtë e ditës së sotme dhe ata meritojnë të trajtohen dinjitetshëm.