Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se rruga Pejë-Rugovë është kthyer në rrezik jete për vizitorë e vendas për shkak të neglizhencës nga ana e pushtetit.
Gjatë vizitës që i ka bërë kësaj rruge, Dreshaj ka thënë se e njëjta është në gjendje të mjerueshme.
“Traseja me gropa te panumërta, me dis-nivele, me rrëshqitje dheu dhe shkëmbinjve. Por më e rrezikshmja është gërryerja e shtresës së rrugës nën asfalt. Kjo rrezikon funksionimin e shumë hoteleve, restoranteve, firmave por cka është më shqetësuese kjo rrugë është kthyer në rrezik permanent për jetën e vizitorëve të shumtë që e frekuentojnë këtë rrugë”, ka shkruar ai.
“Kjo rrugë që kur është ndërtuar në vitet 1914-1918, deri më sot nuk ka lëvizur traseja e saj. Pse po ndodhë kjo sot, me arterien e vetme të Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemura, qe menaxhohet nga shteti? Është çështje kohe kur do të ndodhë ndonjë katastrofë. Qeveri vepro urgjent dhe parandalo më të keqen”, ka shkruar tutje ai.