Stërvitjen e së martës futbollistët e kampiones së Kosovës, Dritës, e zhvilluan në një fushë me bari sintetik që ndodhet jashtë qytetit të Gjilanit.
Në këtë fushë Drita do të stërvitet edhe për disa ditë, derisa javën e ardhshme përgatitjet do t’i vazhdojë e izoluar në shtetin e kundërshtarit të ardhshëm, Sileksit të Maqedonisë së Veriut.
Drita takohet me Sileksin në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës dhe ka zgjedhur pikërisht Maqedoninë e Veriut për t’u izoluar.
Ndeshjen e rundit të dytë kualifikues, Drita do ta zhvillojë më 17 shtator në Shkup.
Drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi, ka thënë se para se të nisen drejt Maqedonisë së Veriut do të obligohen të bëjnë testime në Kosovë. Shteti i Maqedonisë së Veriut nuk e lejon asnjë qytetar të Kosovës ta kalojë kufirin pa pasur rezultat negativ të testit.
Përvoja e Dritës me koronavirus është shumë e keqe.
Për shkak të rasteve me koronavirus te Drita, UEFA e eliminoi skuadrën gjilanase nga parakualifikimet e Ligës së Kampionëve.
“Për momentin jemi duke menduar dhe si opsion po e shohim shtetin e Maqedonisë së Veriut. Jemi duke shikuar mundësinë në Mavrovë, Strugë apo Ohër. Do të shohim mundësitë dhe ambientin, pasi dëshirojmë të jemi të vetmuar për t’u përgatitur për këtë ndeshje të rëndësishme që e kemi. Nga java e ardhshme do të shkojmë për karantinim. Por për të hyrë në Maqedoninë e Veriut do të na duhet të bëjmë testime në Kosovë”, ka thënë Zymberi të martën për KOHËN.
Edhe trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka thënë se është e nevojshme që me ekipin e tij të jetë në karantinë.