Pak orë para se ta lëshojë Shqipërinë, ku u përgatit për ndeshjen që e zhvillon të enjten mbrëma ndaj Sileksit në Shkup, Drita e Gjilanit njoftoi se asnjë prej lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafit nuk është i infektuar me koronavirus.
Te klubi i Dritës rezultatin negativ – të cilin e morën të martën pas testimit të bërë të hënën në Shqipëri për COVID-19 – e vlerësuan si një sfidë të fituar jashtë fushës, sfidë të cilën e kishin humbur në Zvicër.
Në skuadrën gjilanase thonë se tash kanë një sfidë tjetër për ta fituar, atë në fushë kundër Sileksit të Maqedonisë së Veriut. Me skuadrën nga Kratova, Drita do të përballet të enjten nga ora 20:00 në Shkup, në kuadër të raundit të dytë kualifikues për Ligën e Evropës.
“E fituam sfidën e parë, tash udhëtojmë drejt Shkupit me një frymë më të lirshme. Pjesa e testimeve dhe më pas pritja e rezultateve, ka qenë pjesa më e mundimshme për një klub, sepse të gjithë janë në ankth. Por pas marrjes së rezultateve negative, në klub mendohet vetëm për paraqitjen e ekipit në fushë. Jemi 100 për qind të fokusuar për kundërshtarin”, ka thënë të martën drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi.