Drita nuk ka arritur më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi përballë Arbërisë.
Drita e nisi shumë mirë ndeshjen, ku rrezikoi fillimisht me Almir Ajzerajn, por që goditja e tij shkoi jashtë portës.
Dominimi i vendasve vazhdoi edhe në minutat në vazhdim, ku Albin Krasniqi goditi nga distanca, por jashtë portës.
Kampioni në fuqi i Kosovës fitoi penallti në minutën e 35-të të ndeshjes, kur Bruno Arrabal ndali një top në zonë me dorë.
I saktë nga pika e bardhë ishte Kastriot Rexha që i dhuroi Dritës epërsinë 1-0.
Me epërsinë minimale të vendasve përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Pjesa e dytë dhuroi më shumë raste shënimi nga të dyja ekipet, por vetëm mysafirët arritën të shënonin.
Ishte minuta e 75-të e ndeshjes, kur Hamdi Namani i vendasve në tentim për ta larguar topin shënoi autogol.
Drita kërkoi golin e epërsisë me të gjitha forcat, por Festim Alidema lëshoi dy raste të arta shënimi duke konfirmuar se po kalon nëpër një formë të dobët.
Gjithsesi në fund dy skuadrat u desh të kënaqen me nga një pikë të fituar nga kjo ndeshje.
Drita vazhdon të mbetet lider në tabelë me 40 pikë të tubuara, dy më shumë se përcjellësi i tyre më i afërt Ballkani.
Ndërkohë Arbëria zë vendin e gjashtë në tabelë me 21 pikë pas 18 xhirove.