Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, e njeh shumë mirë ekipin e Sileksit nga Maqedonia e Veriut, me të cilin kampionia e Kosovës do të përballet në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës për edicionin 2020/21.
Shorti i tërhequr të hënën në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, ka përcaktuar që kampionia e Kosovës të përballet me Sileksin, ndeshje të cilën do ta zhvillojë në udhëtim më 17 shtator. Për Nuhiun, Sileksi është një kundërshtar i kalueshëm edhe pse ekipi nga Kratova ka një përparësi të vogël ndaj Dritës për shkak se ka disa javë që po luan ndeshje në kuadër të kampionatit të Maqedonisë së Veriut që tashmë ka filluar. Në përgjithësi, Nuhiu e ka vlerësuar shortin si të mirë dhe të përshtatshëm pasi Drita në këtë raund ka arritur të evitojë kundërshtarët si Astana e Dinamo Tbilisi.
“Mund të them se është një short i mirë pasi përballë kemi një kundërshtar të përshtatshëm që edhe mund ta kalojmë, duke u bazuar në cilësinë e ekipit tonë. Kemi kohë për t’u përgatitur dhe për ta analizuar Sileksin për më shumë se dy javë, kështu që besoj se do të jemi plotësisht të gatshëm”, është shprehur Nuhiu të hënën për KOHËN.
“Sileksin e njoh mirë dhe mund të them se vitin e shkuar ka treguar lojë shumë të mirë. Edhe këtë edicion ka rezultate të mira dhe është në përparësi të lehtë ndaj nesh për shkak se kampionati ka filluar në Maqedoninë e Veriut. Por edhe ne do të jemi të përgatitur, gjithçka po shkon mirë. Jam i kënaqur në përgjithësi”.
Nuhiu ka pranuar se përballja me Sileksin në udhëtim nuk do të jetë edhe aq e lehtë. Si Drita, edhe Sileksi garat këtë edicion në kupat evropiane i kanë nisur në Ligën e Kampionëve.
Drita si kampione e Kosovës, rrugëtimin në arenën ndërkombëtare e nisi me turneun preliminar të Ligës së Kampionëve. Drita u eliminua në finale të turneut kualifikues, pasi në gjysmëfinale triumfoi ndaj Inter d’Escaldesit të Andorrës. Ishin rastet pozitive me koronavirus te skuadra gjilanase që e detyruan UEFA-n të marrë vendim për eliminimin e Dritës nga Liga e Kampionëve, me rezultat zyrtar. Kështu Drita, sipas Rregullores, vazhdon në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës.