Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Drita, të martën nga ora 13:30 do t’i nisë përgatitjet për stinorin pranveror. Faza përgatitore do të fillojë me të gjithë lojtarët të cilët ishin pjesë e ekipit kampion edhe në vjeshtë.
Ekipi nga Gjilani ende nuk është përforcuar në afatin kalimtar të janarit, por as nuk ka larguar ndonjë futbollist. Drejtuesit e Dritës janë duke shikuar mundësinë që të sjellin në ekip vetëm lojtarë cilësorë, të cilët janë të nivelit të njëjtë ose më të lartë sesa futbollistët që kanë aktualisht në skuadër.
Drejtori i përgjithshëm i Dritës, Feti Murseli, ka thënë për KOHËN se në Kosovë nuk ka lojtarë të cilët mund t’i transferojnë, sipas tij, për shkak të kontratave që ata kanë me klubet e tyre. Murseli theksoi se fokusi është jashtë Kosovës, për shkak të cilësisë më të lartë.
“Nëse arrijmë të gjejmë ndonjë lojtar që është i nivelit të njëjtë ose më i mirë sesa lojtarët që i kemi, atëherë do ta transferojmë. Në të kundërtën, nuk do të transferojmë lojtarë të nivelit më të ulët. Mund të them se në Kosovë nuk ka lojtarë që ne kërkojmë, për shkak se kanë kontrata me klubet e tyre. Ne jemi duke shikuar të sjellim ndonjë lojtar nga jashtë Kosovës”, tha Murseli. Ai tregoi se më 20 janar ekipi do të niset drejt Antalyas në Turqi për fazë përgatitore.
Të njëjtin mendim me drejtorin Murseli e ndan edhe trajneri i skuadrës, Ardian Nuhiu. Ai shton se u beson shumë lojtarëve që ka në ekip, kurse sa u përket përforcimeve, thekson se mund të mbyllin afatin pa e sjellë asnjë lojtarë.
“Të gjithë futbollistët që i kemi në skuadër janë me kontrata dhe nuk do të largohet asnjë. Janari është i varfër sa u përket transferimeve, pasi lojtarët janë nën kontrata. Ne nuk jemi në bisedime me ndonjë lojtar, por do të shohim gjatë rrugës nëse do të kemi ndonjë lojtar cilësor që mund ta sjellim në ekip, atëherë do ta bëjmë një gjë të tillë. Sigurisht, e kam fjalën për lojtarë cilësorë të nivelit të Dritës ose më të mirë. Por nuk e përjashtoj mundësinë që të mos transferojmë asnjë lojtar. Unë i besoj këtij ekipi, kemi kontingjent të madh të lojtarëve”, ka deklaruar trajneri shqiptar nga Maqedonia e Veriut.
Nuhiu konfirmon se krahas përgatitjeve që do t’i fillojnë të martën, gjatë javës do të kenë edhe teste mjekësore.
“Do të nisim përgatitjet të martën. Do të kemi edhe kontrollet mjekësore brenda javës për të parë gjendjen e secilit lojtar. Do të jenë kontrolle të zakonshme. Në Kosovë do të qëndrojmë vetëm dy javë, e më pas do të zhvendosemi në Antalya”, tha Nuhiu. Sipas tij, qëndrimi në qytetin bregdetar të Turqisë, do të shërbejë për t’u përgatitur sa më mirë. Pozitive i sheh edhe ndeshjet miqësore që do t’i zhvillojnë ndaj skuadrave evropiane.
“Gjatë qëndrimit në Antalya do të mundohemi ta shfrytëzojmë kohën më të mirë që është atje, fushat, e po ashtu edhe kundërshtarët për ndeshje miqësore, të cilët janë të nivelit më të lartë dhe na ndihmojnë shumë që të përgatitemi sa më mirë. I kemi aranzhuar katër ndeshje miqësore. Ende nuk i dimë kundërshtarët pasi me këtë punë po merret agjencia , por e dimë që janë klube evropiane. Këto ndeshje miqësore me ekipe të nivelit të lartë janë të mira dhe të rëndësishme edhe për ndeshjet evropiane, pavarësisht që janë miqësore. Për ne e rëndësishme është që lojtarët të kapin formën e tyre”, shtoi Nuhiu.
Nuhiu konfirmoi se skuadra që ai drejton do të luftojë në të dyja fontet.
“Do të jetë një garë e fortë. Janë disa klube që kërkojnë titullin e kampionit. Synimi ynë është që të mbrojmë titullin. Do të shohim kundërshtarin e radhës në Kupë. Sigurisht do të japim më të mirën që të fitojmë edhe atë trofe”, përfundoi Nuhiu, i cili në sezonin e kaluar fitoi titullin e kampionit. Me Nuhiun në krye, Drita arriti deri në raundin e tretë të Ligës së Evropës, që është “rekord” për një klub kosovar në garat evropiane.
Drita do ta nisë stinorin pranveror nga pozita e parë. Pas 18 xhirove të luajtura, “intelektualët” kanë arritur 12 fitore, 5 barazime dhe kanë pësuar vetëm një humbje. Me 41 pikë renditen në vendin e parë, me tri pikë më shumë se Ballkani që është i dyti. Drita është skuadra e vetme në Superligë që e ka pësuar vetëm një humbje në stinorin vjeshtor. Drita së bashku me Ballkanin kanë sulmin më të mirë në ligë. Gjilanasit kanë realizuar 30 gola, kurse suharekasit 43.
Po ashtu, Drita bashkë me Prishtinën kanë mbrojtjen më të mirë në ligë. Drita ka pranuar 13 gola, kurse Prishtina 12 sosh.