Gati 14 mijë njerëz kanë vdekur në Kanada për shkak të mbidozës së drogës në katër vjetët e fundit dhe më shumë se 17 mijë janë shtrirë në spitale në atë që zyrtarët po e quajnë krizë në rritje e sipër, e cila nuk po shfaq shenja të përmirësimit.
Në raportin e titulluar “Dëmet e lidhura me drogën në Kanada”, të publikuar këtë javë, agjencia publike e shëndetit në shtetin më të madh të Amerikës Veriore, vihet në pah shkalla e kësaj krize shqetësuese sa i përket përdorimit të substancave narkotike nga popullsia.
“Kriza e mbidozës së drogës po vazhdon t’i shkatërrojë shumë kanadezë, familjet dhe komunitetin e tyre në të gjitha pjesët e vendit”, tha Dr.Saqib Shahab, në një deklaratë të përbashkët të autorëve të këtij raporti.
Droga që e ka shkaktuar më së shumti këtë krizë besohet të jetë fentanili, drogë e fuqishme sintetike, e cila shpesh përzihet me heroinë për ta forcuar efektin e saj.
Ndonëse pak rajone në Kanada kanë mbetur pa u goditur nga kjo krizë, gjendja më e rëndë është në pjesën perëndimore, më saktësisht në rajonin British Columbia. Numri prej 22 vdekjeve për çdo 100 mijë banorë është dyshim më i lartë se shifra mesatare në nivel kombëtar. Në vendin e dytë është rajoni Alberta me 16 vdekje për çdo 100 mijë banorë për shkak të mbidozës.
Partia Liberale, e cila është aktualisht në pushtet, ka premtuar se do t’i shtojë fondet për luftimin e kësaj krize, duke thënë se për zgjidhjen e këtij problem do t’i ndajë 100 milionë dollarë kanadezë, shkruan “The Guardian”.